Qytetarët shprehen të shqetësuar për përdorimin e gjuhës së ashpër në tubimet zgjedhore. Sipas tyre kjo nuk duhet të bëhet nga njerëz të shkolluar e që mbajnë pozita në shtet. Ata thonë se partia në pushtet po përdorë gjuhë të ashpër, ngase sipas tyre “po mendojnë t’i përfitojnë votuesit më herët” dhe se po frikësohet se nuk do ta arrijë 51 për qindëshin e kërkuar.
Gjatë ditës së sotme, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka dënuar tri subjekte politike për shkelje të “Kodit të Mirësjelljes” gjatë fushatës zgjedhore.
Për përdorim të gjuhës së ashpër, kryeministri Albin Kurti mori kritika më të forta nga qytetarët shkaku i pozicionit të tij në pushtet.
Qytetari Hamdi Haliti e quajti shprehje banale fjalën “zuzarë” të përdorur nga Albin Kurti në tubimin në Mitrovicë. Përveç kësaj, ai tha se nuk u beson premtimeve të partive politike, ngase “kur po ulen në karrige po i harrojnë ato”.Ndërkaq, Sherif Kabashi vlerëson se përdorimi i gjuhës së ashpër nga kryeministri Kurti po bëhet, “se ndoshta po frikësohet”.
Edhe Sherif Vrajolli thotë se fushata ka filluar mbarë dhe qetë, por shprehet i shqetësuar me gjuhën e përdorur nga partitë politike.
Më 11 janar ka filluar zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit. Në garë janë 28 subjekte politike dhe 1 mijë e 280 kandidatë për deputetët të certifikuar nga KQZ-ja.