Kalimi i Klinikës së Mjekësisë Fizikale dhe Rehabilitimit në objektin e ri tash e dy vjet ka trefishuar numrin e pacientëve të hospitalizuar, por edhe është rritur llojshmëria e shërbimeve.
Derisa më herët, trajtim hospitalor merrnin rreth 100 pacientë në vit, me krijimin e hapësirave të reja, mbi 350 pacientë e kanë marr këtë lloj shërbimi vetëm këtë vit.
Shabani tregon për KosovaPress se gjendja e saj është përmirësuar pas trajtimit mjekësor që ka marrë në këtë klinik.
“Shumë mirë, jemi të kënaqur, prej mjekëve, motrave në përgjithësi, fizioterapisë, fizioterapia më e mrekullueshme. Pa fizioterapi ky operim i imi nuk kalon suksesshëm.Për çdo ditë që jam këtu, që tri javë që jam e shtrirë në spital për çdo ditë kam ndryshime në këmbën time në përgjithësi se këmbën e kam të operuar se kam vendosur protezë. Shumë jam e kënaqur momentalisht prej të gjithë stafit mjekësor që tri javë ditë“, thekson Shabani.Ushtruesja e detyrës e drejtorit Klinikës të Mjekësisë Fizikale dhe Rehabilitimit, Valbona Krasniqi thotë se falë kushteve më të mira dhe infrastrukturës, është rritur kualiteti i shërbimeve fizikale.
Ajo thekson se me zhvendosjen në hapësirat e reja të kësaj klinike është shtuar edhe numri i pacientëve.
“Krahasuar me ku jemi, është e pakrahasueshme, kanë qenë kushtet e vështira qoftë për nga infrastruktura, qoftë për nga pajisjet apo aparaturat të cilat i kemi shfrytëzuar brenda atij objekti. Normalisht kur nuk ke hapësirë nuk ke mundësi tu ofrosh shërbime as pacientëve....Infrastruktura është e mjaftueshme, është e përshtatshme qoftë për kryerjen e punëve por edhe për ambientimin e stafit i cili është pjesë e klinikës...Çdo ambient i ri jep komoditet qoftë për ata që punojnë aty, ose për ata që e marrin shërbimin e personelit që ofron atë shërbim. Edhe pacientët kanë kushte shumë më të mira sesa në vendin ku kemi qenë më përpara”, thotë ajo.
Matja e dendësisë kockore është një shërbim i cili ofrohet tri herë në javë për pacientët nga e gjithë Kosova.
“Në klinikën tonë ka filluar edhe shërbimi i osteodezitometrisë që nënkupton matjen e dendësisë kockore dhe shërbimi ofrohet tri herë në javë si metodë diagnostike për osteoporozën. Normalisht e kemi edhe elektroneuro miografisë gjithashtu është kabinet që funksionon për pacientë, jo vetëm pacientë të jashtëm, por edhe për pacientë të klinikave të tjera të cilët kanë nevojë për një shërbim të tillë...Po presim shpejtë të fillojmë me kabinetin e vlerësimeve funksionale dhe posturografisë, një shërbim shumë i mirë, shërbim i rëndësishëm për pacientët në klinikë“, shprehet ajo.
Ndërsa, janë realizuar 9 mijë vizita ambulantore e mbi 4 mijë e 800 terapi fizikale ambulantore.
Shërbimi i Mjekësisë Fizikale në Kosovë ka filluar të ofrohet nga vitet e 70’ta. Derisa si klinikë në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës është hapur në vitin 2007.