Shpërthimi i djeshëm në fshatin Varagë të Zubin Potokut, ku si pasojë u dëmtua kanali i Ibër-Lepencit që furnizon një pjesë të madhe të vendit me ujë të pijshëm dhe termocentralet është sulm terrorist i organizuar nga Serbia, thotë njohësi i sigurisë, Hajrullah Tërnava. Sipas tij, Kosova duhet të rishqyrtojë zotimin për dërgimin e FSK-së në veri.
Sipas tij, Policia e Kosovës duhet të forcojë sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike, si ura, trafo-stacione, antena, liqene, kanale pasi mund të ketë përsëritje të sulmeve të tilla.
“Të gjitha ato janë veprime terroriste. Ne duhet të zbulojmë se kush janë ata. Kryerësit e këtyre veprimeve janë të përgatitur për të njëjtat dhe si t’i përfundojnë e ndërrojnë vend qëndrimin e tyre dhe ikin për Serbi. Pastaj vijnë të tjerët, pasi përgatitja e tyre është në këtë formë në grupe për me qenë në mënyrë permanente”, thotë ai.
Krahas kësaj, ai deklaron se sulmet e njëpasnjëshme ditëve të fundit në veri po ndodhin për shkak të shtrirjes së sovranitetit në katër komunat veriore.Sipas tij, Policia duhet të jetë në gatishmëri të lartë për arrestimin e përgjegjësve të sulmeve të tilla në veri.
Ai kërkon që të forcohet siguria rreth objekteve të shërbimeve kritike që ka Kosova.
Në orët e mbrëmshme të së premtes ka ndodhur një shpërthim në fshatin Varagë të Zubin Potokut ku si pasojë u dëmtua kanali i Ibër-Lepencit që furnizon një pjesë të madhe të vendit me ujë të pijshëm dhe termocentralet.
Kryeministri Albin Kurti njoftoi se lidhur me këtë sulm ka të arrestuar dhe prova materiale. Sipas tij, kriminelët do të dalin para drejtësisë dhe do të përballen me fuqinë e ligjit.
https://kosovapress.com/shperthim-i-fuqishem-ne-zubin-potok