Rruga e gjatë për shërbime logopedike
Çdo të premte, Agimi, i shoqëruar nga nëna e tij, merr rrugën Vushtrri-Prishtinë për të mbërritur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Aty i kryen seancat logopedike, meqë këto shërbime mjekësore nuk ofrohen në komunën ku jeton.
Në QKUK janë vetëm tre logopedë të cilët trajtojnë fëmijët me probleme në të folur. Ndërkaq shërbime aty, përveç Agimit, marrin edhe 71 fëmijë të tjerë.
Ata përballen me listë të pritjes, deri në një vit.
Seancat aty ofrohen falas por nëna e 9-vjecarit konsideron se takimi i Agimit - emër i vendosur nga redaksia - me logopedin vetëm një herë në javë, nuk është i mjaftueshëm.
Problem tjetër është edhe lista e pritjes, deri në një vit.
“[Problemet e djalit janë] veç me të folur...Prej Vushtrrisë [udhëtojmë]....e kemi pasur 3 herë, por kohëve të fundit vetëm një herë në javë, e kemi të premten....Një herë në javë është shumë pak, por kërkesa të fëmijëve shumë, nuk kanë pas qare pa e bërë një herë në javë se djali im është që një vit, dikush nuk ka qenë asnjëherë“, thotë ajo.
Seanca të tilla mbahen më shpesh se njëherë në javë në klinika private, por ato janë të kushtueshme.
Siç tregon nëna e Agimit, nga përvoja e mëparshme, kostoja për një muaj shkon deri në 700 euro.
“Ka nevojë shumë sepse po e shoh këtu sa fëmija është që pret me vite këtu me hy të radhë, pse jo kur ne kemi njerëz të shkolluar, e kryen shkollën, e kryen fakultetin dhe rrinë në shtëpi...Varet se ku e ke marrë se po, janë të kushtueshme...deri në 30 ka qenë seanca qysh unë kam paguar. Fatmirësisht kam arritur këtu, më ka rënë të presë 5-6 muaj, mirëpo jam duke kaluar shumë mirë, djalin e kam këtu që 1 vit është shumë mirë....Brenda muajit shkon kostoja shumë e lartë ka ndodhur 600-700 euro më kanë shkuar në logopedë [në klinika private], shko atje e atje dhe në fund nuk kam marr rezultat”, thotë ajo në një rrëfim për KosovaPress.
Ushtruesja e detyrës së shefes e shërbimit logopedik në QKUK, Zahide Uka-Rraci konfirmon se aktualisht fëmijët këtë shërbim mund ta marrin prej vetëm 3 logopedëve.
Ajo thotë se me rritjen e kërkesave është rritur edhe nevoja për shtimin e kapaciteteve mjekësore dhe të infrastrukturës.
Duke qenë adresa e vetme në Kosovë për të gjithë fëmijët që kanë nevojë për shërbime logopedike, në QKUK brenda një muaj ofrohen 480 shërbime për gjithsej 72 fëmijë.
Por edhe ky shërbim në QKUK ka një listë të pritjes në mungesë të kapaciteteve mjekësore.
Ajo thekson nevojën për një Qendër të Logopedisë e cila do të vepronte në kuadër të QKUK-së.
Drejtori i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Osman Hajdari është optimist që deri në fillim të dhjetorit të këtij viti do të bëhet centralizimi i shërbimeve logopedike në kuadër të QKUK-së.
Ndërkaq, drejtori i organizatës jo qeveritare “Zë“, Lekë Gjurgjiali shprehet i shqetësuar që fëmijët nga qytete të ndryshme të Kosovës, shërbime logopedike mund të marrin vetëm në QKUK - pa pasur mundësi të tilla në qendrat e mjekësive familjare.
Kosova nuk ka të dhëna të sakta për numrin e fëmijëve me vonesa në të folur.
*Agimi është emër i vendosur nga redaksia.