Kryeministri Albin Kurti ka thënë është bërë një punë e jashtëzakonshme dhe përgatitje e lartë e institucioneve tona të cilat në kohë rekord sanuan në masë të madhe dëmin e shkaktuar në Ibër Lepenc.
Kurti ka shkruar në Facebook se çfarëdo sfide e tejkalojmë bashkë, e edhe ky sulm veçse shfaqi frymën e fuqishme të bashkëpunimit, kontributit e angazhimit të institucioneve tona.
Një shpërthim ka ndodhur mbrëmë në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut dhe ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.
Sulmi ndodhi pak orë pasi Policia e Kosovës njoftoi se i ka rritur masat e sigurisë në nivel vendi.Bandat kriminale me mbështetje të Beogradit zyrtar thuhet se janë prapa këtij shpërthimi në veri të vendit.
Pas sulmit, autoritetet e Kosovës thanë se për shkatërrimin e kanalit ishin përdorur 15 kilogramë eksploziv.
“Sulmi është kryer nga profesionistë, është sulmi i radhës kriminal e terrorist që ne besojmë që vjen nga bandat e orkestruara nga Serbia”, tha ai.
Prej Ibër-Lepencit furnizohen Zubin Potoku, Mitrovica e Jugut, ajo e veriut, Vushtrria, Drenasi, një pjesë e Prishtinës dhe e gjithë Fushë Kosova si dhe Korporata Energjetike e Kosovës.
Ndërkohë, Këshilli i Sigurisë ka aprovuar masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike si ura, trafostacione, antena, liqene, kanale etj., pas sulmit në Zubin Potok ku për shkatërrimin e kanalit të Ibër-Lepencit janë përdorur rreth 15 kilogramë eksploziv.
Kurse, kryeministri Kurti sot njoftoi se punëtorët dhe zyrtarët e institucioneve tona po bëjnë një punë të jashtëzakonshme në sanimin e dëmit të shkaktuar.
E Policia e Kosovës sot po zhvillon një aksion në disa shtëpi të fshatit Varage të Zubin Potokut. Lajmin e ka konfirmuar për KosovaPress, zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Në një bisedë telefonike të zhvilluar sot, Presidentja Osmani e ka njoftuar Madhërinë e Tij Sulltan Haxhi Hassanal Bolkiah, me zhvillimet aktuale të sigurisë në vend dhe janë dakorduar që vizitën e paraparë ta realizojë në një të ardhme të afërt dhe në një kohë të përshtatshme për të dy palët.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ku ka dënuar ashpër aktet terroriste me lëndë eksplozive mbi Kanalin e Ibër-Lepenic, që synojnë shkatërrimin e infrastrukturës kritike të Kosovës e cenojnë sigurinë kombëtare të Kosovës.
“Mbështes fuqishëm të gjitha përpjekjet e Republikës së Kosovës për përballimin e situatës dhe hetimin e ndëshkimin e plotë të këtij akti sabotues e terrorist”, thuhet në postimin e Begajt në Facebook.