Këshilli i Sigurisë ka aprovuar masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike si ura, trafostacione, antena, liqene, kanale etj., pas sulmit në Zubin Potok ku për shkatërrimin e kanalit të Ibër-Lepencit janë përdorur rreth 15 kilogramë eksploziv.
“Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës do të aktivizohen në terren për këtë qëllim. Po ashtu është intensifikuar bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ai ndërkombëtar për të parandaluar sulme të ngjashme në të ardhmen”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Qeveria e Kosovës, pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë, të mbajtur në orët e para të mëngjesit të sotëm.
https://kosovapress.com/15-kilograme-eksploziv-svecla-jep-detaje-nga-sulmi-terrorist
Komunikata e plotë:Kjo mbledhje u thirr pas sulmit të tretë në 72 orët e fundit, që këtë herë ka shënjestruar infrastrukturën kritike të vendit – sistemin e furnizimit me ujë dhe prodhimin e energjisë elektrike. Indikacionet e para sugjerojnë se ky sulm i radhës është orkestruar nga shteti serb, i cili ka kapacitete për një sulm të këtillë kriminal e terrorist. Elemente të organizatave terroriste “Mbrojtja Civile” e “Brigada Veriore” dhe kryekrimineli Millan Radoiçiq nën dirigjimin e presidentit dhe Qeverisë së Serbisë planifikojnë e ushtrohen në Serbi për sulme të këtilla profesioniste. U vu në pah edhe ndërlidhja e gjasshme me sulmet e Rusisë agresore në Ukrainë mbi kapacitetet energjetike gjatë kësaj jave duke lënë mbi një milion amvisëri ukrainase pa energji elektrike pikërisht në prag të dimrit.
Gjatë mbledhjes, anëtarët e Këshillit diskutuan masat emergjente që janë marrë dhe po ndërmerren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend. Janë ndërmarrë hapa konkretë për të rikthyer situatën në normalitet duke siguruar qytetarët se furnizimi me ujë dhe energji elektrike do të rregullohet sa më shpejt.
Institucionet e Kosovës mbeten të angazhuara maksimalisht për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve dhe për të siguruar që autorët e këtyre veprimeve të paligjshme të përballen me drejtësinë. Gjithashtu u bëjmë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e dezinformatave dhe keqinterpretimeve të luftës hibride kundër shtetit dhe popullit tonë."
Për sulmin që ndodhi të premten në Zubin Potok kanë reaguar edhe ambasadorët e QUINT-it.
https://kosovapress.com/hovenier-denon-sulmin-ne-zubin-potok-shba-qendron-prane-kosoves
Si pasojë e dëmtimit të kanalit të Ibër-Lepencit, kryeministri Albin Kurti ka thënë se shumë pjesë të Kosovës mund të mbeten pa energji elektrike, ndërsa disa qytete pa ujë të pijshëm.