Shpërthimi, Policia e Kosovës: Sulm i qëllimshëm e akt kriminal terrorist
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Evitohet rreziku i vërshimeve të shtëpive pas shpërthimit në kanalin e Ibër-Lepenc
1 javë më parë
Linku u kopjua

Policia e Kosovës ka rritur masat e sigurisë pas shpërthimit në kanalin e ujit “Ibër-Lepenci” në Varragë të Zubin Potokut, duke thënë se do të vazhdojë të punojë drejt zbardhjes dhe ndriçimit të rastit, për të cilin nga hetimet fillestare ekziston dyshimi i bazuar se ka qenë i qëllimshëm dhe i kryer me eksploziv nga individ apo grup kriminal, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Në një postim në Facebook, thuhet se incidenti ka ndodhur rreth orës 19:00, pas së cilës Policia e Kosovës ka siguruar informacione se në Varragë të Zubin Potokut, është sulmuar dhe dëmtuar infrastruktura kritike e kanalit të ujit "Ibër Lepenci".

Njësitet relevante policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe lidhur me rastin kanë njoftuar të gjitha institucionet kompetente, atë të Emergjencave, Ujësjellësit, Ibër Lepencit dhe KEK-ut.

Nga Policia e Kosovës dhe institucionet kompetente, janë ndërmarrë masat e nevojshme të sigurisë, të ndalimit të rrjedhjes së ujit si dhe mundësisë së sanimit të kanalit të ujit.

Njëkohësisht nga Policia e Kosovës, njësia për trajtimin e materieve eksplozive janë duke u kryer hetime intensive dhe ekzaminime në vendin e ngjarjes, nga të cilat është konstatuar se shpërthimi/detonimi ka qenë sulm i qëllimshëm, akt kriminal terrorist i kryer nga person/a të dyshuar.

Bashkërendimi i veprimeve në terren, është duke vazhduar nga institucionet e Kosovës, e po ashtu lidhur me rastin janë njoftuar edhe institucionet ndërkombëtare të sigurisë.

Policia e Kosovës thotë se do të përdorë të gjitha aftësitë dhe asistencën nga komuniteti ndërkombëtar për të hetuar provat dhe për të gjetur personat përgjegjës për dëmtimin e furnizimit me ujë të vendit, të furnizimit të termocentraleve e të Zubin Potokut, e që mund të dëmtojë qytetarët.

“Së bashku, do të përpiqemi për të gjetur individët përgjegjës për këtë rast e edhe për sulmet tjera ndaj stacionit të policisë në Zveçan dhe ndërtesës së komunës. Nëse qytetarët kanë ndonjë informacion apo dinë diçka, iu lutemi të lajmërojnë në stacionin më të afërt të Policisë ose në mënyrë anonime duke përdorur numrat kontaktues: 192, 080019999, 038 550 999 dhe në [email protected]”.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024