Kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se sulmi në veri të Kosovës është kriminal dhe terrorist dhe vjen nga bandat e orkestruara nga Serbia.
“Sonte u desh të mblidhemi në këtë orë të vonë këtu në kryeministri, për të informuar opinionin publik mbi sulmet e fundit të rënda kriminale terroriste, dashakeqe që po vijojnë të ne vijnë ne besojmë nga fqinji ynë verior, agresiv e armiqësor”, tha Kurti të premten në një konferencë urgjente për media.
Kurti tha se ky sulm ka synuar që ta dëmtojë infrastrukturën kritike të Kosovës “mbase edhe më të rëndësishmen që kemi dhe pa dyshim që ishte tentativë e rrezikimit të furnizimit me energji elektrike dhe ujë në vendin tonë”.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë të qetë dhe të ndjekin në vazhdimësi njoftimet nga institucionet e Kosovës.“Për bindjen tonë të fuqishme, nuk mund të ketë adresë tjetër për përgjegjësinë e fajësinë, për organizmin dhe orkestrimin e këtij sulmi, përveçse Beogradi zyrtar dhe strukturat e tyre kriminale të cilat me në krye Milan Radoiçiq, mbështeten nga institucionet serbe dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq”, shtoi Kurti.
Sipas Kurtit, me këto veprime është synuar të nxitet frika dhe pasiguria “së pari te banorët e katër komunave në veri të Ibrit, për të përshkallëzuar situatën e më pastaj mbarë vendin tonë”.