AfD shpalos planin për Gjermaninë para zgjedhjeve
Bota
Lexohet për: 3 min.
AfD shpalos planin për Gjermaninë para zgjedhjeve
Foto Arkivë
1 javë më parë
Linku u kopjua

Përpara zgjedhjeve të parakohshme që priten të mbahen në shkurt të vitit të ardhshëm, partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) synon të bazojë programin e saj zgjedhor në daljen e vendit nga BE-ja, Marrëveshja e Parisit për ndryshime klimatike dhe heqjen e euros.

Politikat përshkruhen në projekt-programin e partisë, të cilin anëtarët e partisë do ta diskutojnë dhe votojnë në Asamblenë Kombëtare më 11 dhe 12 janar.

Dokumenti prej 85 faqesh bën thirrje gjithashtu për ligje më të rrepta për abortin, heqjen e sanksioneve ekonomike kundër Rusisë dhe riparimin dhe riaktivizimin e tubacionit Nord Stream, i cili transportonte gaz natyror nga Rusia në Gjermani.

Sa i përket euros, AfD thotë se “Gjermania duhet t'i jep fund rrugës së gabuar të shpëtimit të përjetshëm (të vendeve të tjera) duke rifutur monedhën kombëtare.”

“Ne besojmë se është e nevojshme që Gjermania të largohet nga BE dhe të krijojë një komunitet të ri evropian”, thuhet në dokument.

Draft-programi kërkon gjithashtu daljen nga Marrëveshja e Parisit për të reduktuar gazrat serrë. "Konsensusi i supozuar shkencor" mbi ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu është i ndërtuar politikisht, thuhet në tekst.

Ndërsa thekson një "kulturë miqësore për fëmijët", AfD mbron kufizimet ligjore për abortin në draft.

“Kur peshohen me kujdes interesat, aborti duhet të mbetet si përjashtim absolut, për shembull në rastin e indikacioneve kriminale apo mjekësore”.

Drafti propozon gjithashtu që grave shtatzëna t'u kërkohet ligjërisht të shikojnë imazhet me ultratinguj të foshnjës së tyre gjatë këshillimit për abortin "në mënyrë që ato të jenë të vetëdijshme për fazën e zhvillimit të foshnjës".

Abortet janë aktualisht të paligjshme sipas Kodit Penal gjerman, por në praktikë janë të disponueshme dhe nuk i nënshtrohen dënimit në 12 javët e para nëse gruaja merr këshillim paraprakisht. Aborti gjithashtu mbetet i pandëshkuar nëse ka arsye mjekësore ose nëse kryhet për shkak të përdhunimit.

Legalizimi i mundshëm i abortit sipas ligjit gjerman ka qenë temë e debatit politik prej vitesh.

Ndryshe, manifesti i AfD-së, i publikuar në prag të zgjedhjeve të Parlamentit Evropian në qershor, përmbante mesazhe të ngjashme, por nuk bëri thirrje në mënyrë eksplicite që Gjermania të largohej nga BE.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024