Kryeministri Albin Kurti është figura më e përfolur në keqinformata gjatë muajit tetor. Në mediat sociale ka filluar parafushata zgjedhore keqinformuese, ku fokusi kryesor është publikimi në tik-tok. Kështu thotë raporti monitorues i Hibrid.info për keqinformimit gjatë muajit tetor. Në këtë raport janë analizuar 44 përmbajtje keqinformuese, ku lajmet e rreme janë forma më e shpeshtë e keqinformimit.
Hulumtuesi në Hibrid.info, Festim Rizanaj tha se keqinformimi në masë të madhe po vijon edhe gjatë këtij muaji.
“Figurat lidhen me para fushatën zgjedhore, ku partitë politike duke i përfshirë të gjitha këto të mëdhajat janë pjesë, dominojnë si institucionet më të përfolura. Kryeministri Albin Kurti është figura më e përfolur gjatë muajit tetor, e që herë pas here edhe gjatë muajve të tjerë Kurti është nga protagonistët e përfolur në keqinformata. Kemi një para fushatë keqinformuese zgjedhore që po zhvillohet në mediat sociale, konkretisht në tik-tok. Nëse e bëjmë një kalkulim, gjatë gushtit 23 për qind kanë qenë keqinformatat e publikuara në tik-tok, shtatori është ngritur në 35 për qind edhe në muajin tetor 38 për qind. Shihet një rritje e keqinformatave në tik-tok që edhe gjatë nëntorit këto keqinformata po publikohen kryesisht në platformën në tik-tok”, shtoi Rizanaj.
Nga dita kur është vendosur dita e zgjedhjeve, kontrolluesi i fakteve, Fatbardh Dema tha se janë identifikuar 14 sondazhe të rreme.