Deficiti tregtar në vendin tonë është shënuar 10. 4 për qind në muajin tetor të këtij viti në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, përkatsisht në vlerë prej 493 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 446. 5 milionë euro në vitin 2023.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), eksporti mbulon importin me 15 për qind, përcjell KosovaPress.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 22. 6 për qind thuhet se e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 12,5 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, 11,8 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10,9 për qind e përbëjnë produktet minerale e 10. 5 për qind e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar.
Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesore të importit: 14,1 për qind e përbëjnë produktet minerale; 13,2 për qind e përbëjnë mjetet e transportit; 12 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 11 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 9,5 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, etj.ASK-ja ka publikuar edhe të dhënat për eksportet dhe importet e Kosovës me vendet e CEFTA-s.
“Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 39,9 milionë euro, ose 45,7 për qind të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 27,9 për qind. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (20,8 për qind), Maqedonia e Veriut (12,3 për qind), Serbia (6,8 për qind), Mali i Zi (4,5 për qind). Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 74,5 milion Euro, ose 12,8% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-8,2%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Shqipëria (5,1%), Maqedonia e Veriut (3,8%), Serbia (2,3 për qind)”, thuhet në raport.