Vrasja e Liridonës: Vonesa për ngritjen e aktakuzës, dështim për të mbrojtur gratë
Tema
Lexohet për: 4 min.
1 javë më parë
Linku u kopjua
Ngritje të aktakuzës dhe më pas dënim maksimal po kërkohet për vrasjen e Liridona Ademajt, një vit pas rastit tragjik.
Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor të vitit të kaluar në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.
Edhe pas një viti, Prokuroria nuk ka ngritur aktakuzë derisa janë tre persona të dyshuar për këtë vrasje - në mesin e tyre edhe bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli.
Rastin e 39-vjeçares, Policia e Kosovës fillimisht e kishte raportuar si “grabitje me pasoja të vrasjes”. Më 1 dhjetor policia arrestoi bashkëshortin e saj, si i dyshuar për këtë rast. Pas tij u arrestuan edhe Granit Plava që dyshoi se kreu vrasjen, dhe Kushtrim Kokalla si i dyshuar për ndihmë në kryerjen e veprën penale.
Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë thonë për KosovaPress se janë në fazën e hetimeve.
“Lidhur me lëndën për të cilën keni kërkuar informata, Prokuroria Themelore në Prishtinë ju informon se çështja penale është në fazën e hetimeve, ndërsa në momentin e vendosjes lidhur me këtë çështje do të mund të japim më shumë informacione”, thotë Prokuroria Themelore në një përgjigje me shkrim.
Edhe një vit pas vrasjes, vëllai i Liridonës, Leonard Ademaj po vazhdon të kërkojë ngritje sa më parë të aktakuzës.
Nisja e këtij procesi gjyqësor, thotë ai, do të ishte lehtësim për familjen.
“E kuptojmë që prokuroria duhet të përgatisë aktakuzën sipas ligjit dhe në mënyrë profesionale dhe për këtë ka afat ende në bazë të ligjit. Por, ngritja e një aktakuze sa më shpejtë dhe dënimi maksimal që parasheh Kodi Penal i RKS-së është një lehtësim për ne si familje dhe për gjithë popullin sakrifikues e dashamirës të Kosovës. Vrasja e Liridona Ademaj ka ndodhur në bashkëkryerje duke u planifikuar, duke u gjetur ekzekutori, duke blerë armën dhe se bashku te tretë duke organizuar dhe ekzekutuar vrasjen e gruas së bashkëkryesit Naim Murseli, sipas porosisë së tij në mënyrë shumë dinake”, thotë për KosovaPress Leonard Ademaj.
Vonesën e ngritjes së aktakuzës e shohin shqetësuese edhe organizatat që merren me mbrojtjen e të drejtave të grave.
Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës thotë për KosovaPress se çdo zvarritje nga sistemi i drejtësisë është ngarkesë dhe stres për familjen, por edhe dështim i organeve për të mbrojtur gratë.
Ndërkaq, sipas avokatit Musa Damati, prokuroria është dashur të jetë më transparente.
Liridona Ademaj ka lënë mbrapa dy fëmijë.
Vëllai i saj, thotë për KosovaPress se të njëjtit janë nën kujdes të institucioneve kompetente në Suedi.
“Jemi në kontakt të vazhdueshëm edhe me fëmijët të cilët gjendën nën kujdesin e socialit dhe organeve kompetente në Suedi të cilët i falënderojmë për angazhimin e tyre. Fëmijët i brengosë më së shumti fakti se ishin ne veturë dhe se si babai i tyre e shtrëngoj krahun e nënës së tyre në momentin kritik që vrasja të kryhet sa më lehtë”, theksoi ai.
Sipas psikologut Ilir Havolli, në rastet kur fëmijët janë të pranishëm kur ndodh rasti tragjik, nevojitet trajtimi i tyre.
Vrasja e Liridonës është dënuar nga qytetarë e institucione, duke kërkuar dënim maksimal për kryesit e veprës./B.Ibishi