“Babë, ma kanë vra mësuesin”, rrëfimi nga Llausha në përvjetorin e varrimit të Halit Gecit
Lajme
Lexohet për: 3 min.
halit-geciii2
5 ditë më parë
Linku u kopjua

“Babë ma kanë vra mësuesin”, i citon fjalët e djalit të tij, Bejt Geci, 27 vjet pas vrasjes së Halit Gecit, në Llaushë të Drenicës.

Si sot, në nëntorin e vitit 1997, djali i tij kishte shkuar në shtëpi i përlotur duke i treguar familjes se e ka humbur mësuesin.

Halit Geci ishte vrarë më 26 nëntor derisa qëndronte brenda objektit të shkollës së fshatit – aty ku jepte mësim.

Forcat serbe kishin gjuajtur në drejtim të shkollës, pa asnjë provokim.

Bashkëvendësit e mësuesit, si Bejt Geci, e përshkruajnë atë si njeri i urtë e i zgjuar.

"Kur ka ndodhur vrasja e tij, djali ka ardhur tek shtëpia duke qajtur tha 'Babë ma kanë vra mësuesin'. Të gjithë kemi qenë të mërzitur sepse ka qenë një mësuesi i dalluar në shkollën tonë”, thotë Geci.

Në rrëfimin për KosovaPress, Geci tregon se si kishe rrjedhur ngjarja deri tek vrasja e mësuesit, varrimi i të cilit ishte bërë më 28 nëntor.

Po atë ditë, në ceremoninë e varrimit, Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte dalë për herë të parë publikisht.

Geci thotë se pas sulmit ndaj komandantit Abedin Rexha në fshatin Vajnikë të Skenderajt, një ditë më vonë serbët ishin përballur me forcat e UÇK-së, ku edhe kishin pësuar humbje.

Sipas tij, “nga mllefi që disa ushtarë serbë janë vrarë e plagosur atje”, forcat serbe kanë gjuajtur nëpër shtëpi e shkollë.

Ndër të tjera, Geci tregon se banorët nuk kanë ditur se pikërisht në varrimin e Halit Gecit do të dalë për herë të parë publikisht UÇK-ja.

Mijëra njerëz ishin mbledhur në varrimin e mësuesit, por pa e ditur se aty po shënohej historia.

Varrimi i mësuesit Halit Geci dhe dalja e parë publike e UÇK-së shënojnë një prej ngjarjeve kryesore të historisë së lavdishme të popullit shqiptar për çlirim.

Deklarata e UÇK-së ishte lexuar nga Rexhep Selimi i cili shoqërohej nga dy ushtarë të tjerë, Daut Haradinaj dhe Mujë Krasniqi.

Sot, pranë shkollës në Llaushë qëndron përmendorja e mësuesit Halit Geci dhe shkolla e fshatit mban emrin e tij.

Ndërkaq në hapësirën ku ishte paraqitur UÇK-ja, sot është përuruar një memorial kushtuar asaj ngjarjeje. /Z.Zeneli.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...

https://kosovapress.com/nje-pike-uje-sikur-tia-kisha-dhene-rrefimi-i-bashkeshortes-se-halit-gecit

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024