“Zëri i UÇK-së” edhe këtë përvjetor në sallën e gjyqit, së shpejti sjell ekspozitë nga Haga
Intervista
Lexohet për: 3 min.
rexhep selimiii
2 javë më parë
Linku u kopjua

Njëzeteshtatë vjet më parë e lexoi fjalimin që hyri në histori. Sot është i ulur në sallën e gjyqit - i akuzuar për krime të pretenduara të luftës.

“Lufta jonë e shenjtë do të zhvillohet deri në çlirim”, thuhej në deklaratën e UÇK-së të cilën popullit ia kumtoi Rexhep Selimi në daljen e parë publike të ushtrisë së atëhershme çlirimtare, më 28 nëntor 1997.

Atëbotë, Selimi bashkë me dy shokët e luftës, Daut Haradinajn dhe heroin Mujë Krasniqi i treguan botës për përpjekjet e shqiptarëve për liri e pavarësi.

Sot kur shqiptarët shënojnë nëntorin e festave, ish-krerët e UÇK-së ndodhen në një proces të stërzgjatur gjyqësor. Ata po qëndrojnë në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020.

Në secilën seancë gjyqësore, Rexhep Selimi përmes pikturës shfaq emocionet e tij.

Në përvjetorin e ardhshëm pritet një ekspozitë me krijimtarinë e tij nga koha e gjyqit, e që përkon me numrin e seancave të mbajtura deri më tani.

Detajet për këto i tregon ekskluzivisht për KosovaPress, bashkëshortja dhe bashkëluftëtarja e Rexhep Selimit, Shqipja.

“Ai [Rexha] me mendje është gjithmonë në Kosovë, me mendje te dalja publike, tek festimi i Festës së Flamurit. Pra, me mendje është gjithmonë me Kosovën, me Shqipërinë, me kombin tonë. Nuk mund të mposhten aty. Do të triumfojnë ndaj kësaj padrejtësie sepse ata janë forcë nga atje edhe tash për kosovarët, për kombin, për shqiptarët”, shprehet ajo.

Ajo tregon detaje për krijimtarinë artistike të Rexhep Selimit.

"Është në proces të krijimtarisë së tij artistike, merret me poezi, shkruan ese, pikturon, vizaton. Bile së fundmi tash po mendojmë që ta bëjmë edhe një ekspozitë tjetër me vizatimet e tij që i mban gjatë seancave gjyqësore. Po e jap këtë si ekskluzivitet për ju, megjithëse jemi ende në përgatitje e sipër por besoj që do ta kemi një ekspozitë shumë interesante", thotë Selimi për KosovaPress.

E gjithë kjo krijimtari e ish-pjesëtarit të UÇK-së, pritet që të ekspozohet në nëntor të vitit të ardhshëm.

“Vetëm mendoje se sa seanca janë mbajtur atje, sa ditë të seancave, për çdo ditë nga një vizatim, llogarite se sa mund të dalin. Pra, tash bëhen dy vite që ka filluar aty procesi gjyqësor. Por do të shkurtojmë edhe numrin e tyre sepse janë të mjaftueshme”, tregon Selimi-Mehmeti.

Dy vjet më parë, ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi dërgoi nga Haga rreth 110 piktura të cilat u ekspozuan për publikun në prag të 110 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

“Është një ndjenjë e rëndë [mungesa e Rexhep Selimit] jo vetëm për ne si familje, por është një ndjenjë e keqe për gjithë kombin dhe për gjithë shqiptarët...”, thotë ajo.

Dalja e parë publike e UÇK-së u bë në varrimin e mësuesit Halit Geci. Ai u vra nga forcat serbë të cilët gjuajtën në drejtim të shkollës së fshatit, pa asnjë provokim./Sh.Pajaziti

Intervistën e plotë mund lexoni në sistemin me parapagim...

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024