Sot mbushen 112 vjet nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë më 1912 në Vlorë. Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë erdhi pas përpjekjeve gati 500-vjeçare të popullit shqiptar nga Perandoria Osmane, e cila pushtoi trojet shqiptare, 10 vjet pas vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeu më 17 janar 1468.
Përpjekja për çlirimin e popullit shqiptar dhe popujve të tjerë evropianë nga perandoria osmane nuk janë ndalur asnjëherë deri në dëbimin e saj më 1912.
Pas shumë përpjekjesh e sfidash më 10 qershor 1878 shqiptarët u mblodhën në Prizren dhe formuan Lidhjen e Prizrenit - lëvizja e parë e shqiptare e madhe e organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake qe prej kohës së Skënderbeut.
Të detyruar nga rrethanat specifike të vitit 1878, shqiptarët thirrën një Kuvend mbarëkombëtar, i cili synonte bashkimin e Shqipërisë.Më 10 qershor 1878, në Prizren u bashkuan katër vilajetet e Shqipërisë: Shkodrës, Manastirit, Janinës dhe Kosovës.
Kongresi i Berlinit u hap më 13 qershor 1878, me rend dite rishikimin e Traktatit të Shën-Stefanit. Në të morën pjesë gjatë fuqitë e mëdha të Evropës: Gjermania, Anglia, Franca, Rusia, Austro-Hungaria dhe Italia.
Përpjekja e popullit shqiptar u shua më pas me mosnjohjen e trojeve nga Kongresi i Berlinit dhe luftën e popullit shqiptar kundër Perandorisë Osmane, e cila rezultoi me copëtimin e Shqipërisë dhe mbetjen e pjesëve tjera nën Perandorinë Osmane.
Pas kësaj u mbajt Konferenca e Ambasadorëve në Londër, më 1912-1913, e njohur si “Konferenca e Paqes në Londër” - një takim ndërkombëtar i gjashtë fuqive të mëdha të asaj kohe - Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Austro-Hungaria, Rusia dhe Italia.
Këto fuqi u mblodhën në dhjetor 1912. Pas shumë diskutimesh, më 29 korrik 1913, ambasadorët morën një vendim formal për të njohur Principatën e Shqipërisë si shtet sovran të pavarur nga Perandoria Osmane, duke e copëtuar edhe njëherë dhe duke marrë dy të tretat e trojeve shqiptare. /KosovaPress/