Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka liruar nga masa e arrestit shtëpiak kreun e Partisë Demokratike, Sali Berishën.
Avokati Genc Gjokutaj u shpreh se gjykata konstatoi se nuk ekzistojnë kushtet dhe kriteret për asnjë masë sigurie.
Berisha ndodhej në arrest shtëpiak prej 30 dhjetorit 2023. Ai u vu nën hetim, nën dyshimet për korrupsion në rastin e procedurave të privatizimit të ish klubit sportiv Partizani.
Sipas Prokurorisë së Posaçme ai dyshohet se ka favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi një ndër pronarët e truallit ku shtrihej kompleksi sportiv, mbi të cilin lulëzoi më pas një grup pallatesh.Në mënyrë të përsëritur, ish-kryeministri ka hedhur poshtë pretendimet e Prokurorisë, dhe gjatë gjithë kohës ka folur për një prapavijë politike, në hetimin e nisur ndaj tij. Pas arrestit në shtëpi, Berisha e ka konsideruar veten një të “dënuar politik nga regjimi i kryeministrit Edi Rama”.
Pak javë më parë Prokuroria e Posaçme njoftoi mbylljen e hetimeve dhe dërgimin e çështjes për gjykim. Në mesin e muajit dhjetor pritet që në seancë paraprake të merret vendimi ndaj kërkesës së Prokurorisë.