Hiqet masa “arrest shtëpie” për Berishën, avokati: Nga sot është i lirë
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Hiqet masa “arrest shtëpie” për Berishën, avokati: Nga sot është i lirë
6 ditë më parë
Linku u kopjua

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur sot të lirojë nga masa e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe nga çdo masë tjetër sigurie ish-kryeministrin e Shqipwrisw Sali Berisha.

Kështu bëri me dije për mediet avokati i tij Genc Gjokutaj, i cili tha se Gjykata konstatoi se për Berishën nuk ekzistojnë kushtet apo kriteret për asnjë masë.

“Mbi bazën e kërkesës sonë, sot gjykata revokoi masën e arrestit të shtëpisë, si një masë që nuk ka as kushte e as kritere. Sot Berisha është i lirë dhe pa asnjë masë sigurimi ndaj tij. Kërkesa ishte për Berishën. Nuk mund t’ju relatoj dosjen juve. Gjykata konstatoi se për zotin Berisha nuk ekzistojnë kushtet apo kriteret për caktimin e asnjë lloj mase sigurie”, tha Gjokutaj.

Gjatë fjalës së tij, Gjokutaj tha se Prokuroria ka kërkuar që Berisha të mbetej në arrest shtëpie, ndërsa për SPAK-un deklaroi se duhet të ulë kokën dhe të shikojë se çfarë ka bërë.

“Prokuroria kërkoi arrestin në shtëpi, por lirimi ishte kërkesa jonë. Kërkesa për revokimin e masës është bërë këtu, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ligji nuk zbatohet me analogji, ne nuk i besojmë gjykatave, kemi 1 vit luftë me Irena Gjokën dhe shumë gjyqtarë të tjerë. Duhet të kuptoni që qëndrimi Strasburgut është determinant dhe ka një rol parësor në këtë punë, kështu që unë nuk mund t’i hyjë ndërgjegjes së brendshme. Procesi është kryekëput politik. SPAK-u le të bëjë çfarë të dojë, dhe të shohë se çfarë ka bërë. I ka hipur një kali për së prapthi”, tha Gjokutaj.

Ish-kryeministri Berisha prej datës 30 dhjetor të vitit të kaluar ndodhet në “arrest shtëpie”, pasi refuzoi që të zbatonte masën “detyrim paraqitje”, ndaj tij, duke e konsideruar si antikushtetuese.

Sali Berisha, aktualisht kryetar i Partisë Demokratike, akuzohet nga SPAK për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”./ATSH/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024