“Një pikë ujë sikur t’ia kisha dhënë”, rrëfimi i bashkëshortes së Halit Gecit
Lajme
Lexohet për: 3 min.
halil-gecit
2 javë më parë
Linku u kopjua

“Vetëm vdekja më ndan nga nxënësit”, kishte thënë Halit Geci - mësuesi i shkollës në Llaushë të Skenderajt.

Jo fort larg nga kjo bisedë që e kishte pasur me bashkëshorten e tij, mësuesi ishte vrarë nga forcat serbe, më 26 nëntor 1997.

Njëzeteshtatë vjet më vonë, bashkëshortja e tij, Kadirja, ndan me ekipin e KosovaPress-it kujtimet e asaj kohe.

Mes emocionesh, ajo tregon se çfarë i ka mbetur peng t’i thoshte bashkëshortit të saj.

Derisa shtrëngon duart nga malli, ashtu siç kishte bërë po atë natë që kishte marrë vesh se Haliti kishte vdekur, 74 vjeçarja përshkruan çiltërsinë e mësuesit.

Halit Geci plagët i kishte marrë derisa ndodhej brenda objektit të shkollës - aty ku shkonte edhe kur situata përkeqësohej, pavarësisht se rrezikonte jetën e tij.

“Mendja ime - djali i madh ka qenë duke shitur në rrugë tek shkolla, thashë ndoshta policia... Ia patën filluar disa ditë i shqelmonin kur shitshin cigare", rrëfen ajo.

Forcat serbe kishin gjuajtur në drejtim të shkollës dhe civilëve pa asnjë provokim.

Dy nga katër fëmijët e mësuesit nuk kanë mundur të marrin pjesë në varrimin e tij pasi kishin migruar.

Edhe pse sot e shtyrë në moshë, 74 vjeçarja ende e ka të kthjellët kujtimin e asaj dite kur e kishte marrë lajmin se plumbi i forcave serbe kishte qëlluar mësuesin.

Fillimisht kishte dëgjuar për plagosje, por thotë se e ndjeu se ai kishte vdekur.

“Tha [në lajme] 'Është plagosur Haliti me Shaban Rrecin'. Gjithqysh e ndjeva vetën që ka vdekur", thotë ajo.

Mësuesi Halit Geci ishte varrosur më 28 nëntor të vitit 1997.

Po atë ditë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte dalë për herë të parë publikisht. Mijëra njerëz ishin mbledhur në varrimin e mësuesit, por pa e ditur se aty po shënohej historia.

Varrimi i mësuesit Halit Geci dhe dalja e parë publike e UÇK-së shënojnë një prej ngjarjeve kryesore të historisë së lavdishme të popullit shqiptar për çlirim.

Deklarata e UÇK-së ishte lexuar nga Rexhep Selimi i cili shoqërohej nga dy ushtarë të tjerë, Daut Haradinaj dhe heroi Mujë Krasniqi.

Sot, pranë shkollës në Llaushë qëndron përmendorja e mësuesit Halit Geci dhe shkolla e fshatit mban emrin e tij.

Ndërkaq në hapësirën ku ishte paraqitur UÇK-së, është vendosur një memorial në shenjë kujtim.

“Jemi mërzitur [për vdekjen e Halitit], jemi ngushtuar, papritur. Por, tani është një farë krenarie, po interesohen të gjithë për të”, thotë bashkëshortja e mësuesit./Z.Zeneli.

Rrëfimin e plotë të Kadire Gecit mund ta lexoni në sistemin me parapagim...

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024