FMN: Shqipëria rritje ekonomike 3.6 për qind, më e shpejta në Evropë për vitin 2024
Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), drejtuar nga Anke Weber, që përfshin David Bartolini, Fazurin Jamaludin, Jakree Koosakul dhe Hasan Toprak, zhvilloi diskutime në kuadër të Konsultimit të Nenit IV me Shqipërinë për vitin 2024 gjatë periudhës 13-21 nëntor.
Në përfundim të vizitës, misioni i FMN-së ndau një deklaratë për shtyp, ku theksoi se ekonomia shqiptare është në rrugën e duhur për t’u bërë një nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë në Evropë për vitin 2024.
“Pas rritjes me 3.9 për qind në vitin 2023, stafi i FMN- së parashikon një rritje reale të PBB-së me 3.6 për qind në vitin 2024, e nxitur nga kërkesa e brendshme, turizmi dhe aktiviteti i ndërtimit. Ekonomia shqiptare ka shfaqur një performancë të fortë gjatë viteve të fundit, mbështetur në politika të kujdesshme makroekonomike. Politikat e kujdesshme fiskale kontribuuan për një ulje të konsiderueshme të borxhit publik, ndërkohë që politika monetare proaktive, rënia e çmimeve globale të mallrave dhe vlerësimi i qëndrueshëm i lekut kanë lehtësuar ngadalësimin e inflacionit. Perspektiva e rritjes ekonomike pritet të mbetet e fortë dhe rreziqet rreth këtij parashikimi janë të ekuilibruara”, thekson FMN-ja.
Sipas FMN-së, pavarësisht pamjes së përgjithshme pozitive ekonomike, sfidat strukturore mbeten të konsiderueshme.
“PBB-ja për frymë vazhdon të jetë rreth një e katërta e niveleve të ShBA-së dhe BE-së, për shkak të plakjes së shpejtë të popullsisë dhe emigracionit. Pavarësisht progresit të konsiderueshëm në reformat e sundimit të ligjit, mangësitë në qeverisje dhe dobësitë institucionale paraqesin pengesa për mjedisin e biznesit”, citon njoftimi i FMN-në.
FMN-ja nënvizon se, inflacioni në fund të vitit 2024 pritet të jetë rreth 2 për qind, poshtë objektivit prej 3 për qind të Bankës së Shqipërisë (BSh). Edhe pse efektet bazë të rënies së konsiderueshme të inflacionit mujor në fillim të vitit 2024 do të rritin përkohësisht inflacionin gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, kthimi i qëndrueshëm tek objektivi nuk pritet përpara vitit 2026, duke marrë parasysh shkallën e lartë të inercisë në procesin e inflacionit në Shqipëri. Deficiti i llogarisë korrente parashikohet të arrijë në 3.4 për qind për vitin 2024 dhe pritet të ketë një rritje të lehtë në afat të mesëm, për shkak të importeve më të larta të nxitura nga projektet e mëdha të investimeve publike.
Për përfaqësuesit e FMN-së, rritja për periudhën 2025-2029 pritet të mbetet e fortë, në rreth 3½ për qind, e mbështetur nga kërkesa e brendshme dhe turizmi, duke pasur parasysh çmimet konkurruese dhe përmirësimin e kapacitetit të këtij sektori.
Stafi i FMN-së parashikon një konsolidim të kufizuar fiskal. Borxhi publik, pritet të jetë rreth 56 për qind deri në fund të vitit 2024, parashikohet te reduktohet në nivelin 50 për qind ne vitin 2029 dhe vlerësohet si i qëndrueshëm në periudhën afatmesme.
Sipas FMN-në, një qasje bazuar në të dhëna ndaj politikës monetare mbetet kyç për stabilitetin e çmimeve, e plotësuar nga një regjim i lirë i kursit të këmbimit si amortizues i goditjeve. Ruajtja e stabilitetit financiar do të kërkojë një forcim të mëtejshëm të mbikëqyrjes dhe rregullimit të institucioneve banka dhe jobanka dhe thellim të mëtejshëm të tregut financiar. Heqja e pengesave për rritjen e firmave, kalimi te prodhimi me vlerë të shtuar më të lartë dhe reformat e vazhdueshme në qeverisje do të jenë themelore për të siguruar përfitime maksimale nga anëtarësimi në BE.
FMN sugjeron, se duhet të rifillojnë përpjekjet për ristrukturimin e regjimit tatimor për profesionistët e lirë, shoqëruar me një heqje më shpejt sesa është planifikuar të normës tatimore zero për bizneset e vogla. FMN i bën thirrje autoriteteve të nis punën përgatitore për hartimin e një ligji të ri të tatimit mbi pronën, përfshi ngritjen e kadastrës fiskale dhe procedurave të vlerësimit të pronës, duhet përfunduar në kohë. Gjithashtu, rritja e presioneve afatgjata mbi shpenzimet do të kërkojë reforma edhe më ambicioze.
Analiza e FMN-së sugjeron se vlerësimi i qëndrueshëm i lekut është nxitur përgjithësisht nga faktorë thelemorë si turizmi dhe produktiviteti, shkruan ATSh, transmeton KosovaPress.
“Sektori bankar mbetet i mirë-kapitalizuar dhe likuid me norma mesatare prudenciale që qëndrojnë mbi kërkesat rregullatore. Megjithatë, ka hapësirë për forcimin e mëtejshëm të pozicioneve të kapitalit të disa bankave”, thekson në njoftimin e saj FMN.