Westerlund: Kosova ka përparuar sa i përket industrisë së drurit
Lajme
Lexohet për: 2 min.
1 javë më parë
Linku u kopjua
Industria e drurit është një sektor kyç për zhvillimin ekonomik të Kosovës, e po ashtu kjo industri ka potencial të rrisë përfitimet ekonomike të vendit. Kështu ka thënë ministrja e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari në edicionin e shtatë të Konventës së Industrisë së Drurit.
Ndërsa, ka shtuar se prodhimi i drurit dhe mobileve konsiderohet një nënsektor në rritje me një normë të lartë të rritjes në vlerën e shtuar të produktit prej 10 për qind.
“Industria e drurit është një sektor kyç për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Kjo industri ka potencial të rrisë përfitimet ekonomike të vendit përmes përdorimit të resurseve vendore dhe të forcojë lidhjet me sektorët e tjerë si industria e tekstilit, prodhimi i produkteve metalike dhe shërbimet e lidhura me industrinë”, tha Hajdari.
Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund ka thënë se Kosova ka përparuar sa i përket industrisë së drurit dhe mobileve, përgjatë viteve të kaluara.
“Kosova ka përparuar sa i përket industrisë së drurit dhe mobileve. Përgjatë viteve të kaluara, shitja brenda dhe eksporti ka shënuar rritje prej 70 milionë eurove, në pesë vitet e fundit, dhe këto janë shifra mbresëlënëse. Mendoj se janë akoma disa sfida, sa here që vijnë kompanitë suedeze në Kosovë, përmenden disa çështje, e para është kapaciteti i kufizuar në industrinë e mobiljeve, ngase kompanitë e mëdha si IKEA duan vëllim të madh, kështu që kjo është sfidë, e po ashtu edhe financimi i kompanive të vogla është sfidë”, tha Westerlund.
Në anën tjetër, kryetari i bordit të Shoqatës së përpunuesve të drurit, Zenel Kelmendi ka thënë se kjo shoqatë po ndihmon kompanitë të zgjerojnë hapësirat e tyre në tregjet globale.