Edhe një muaj ka mbetur deri në përfundimin e afatit të aplikimit për regjistrim si votues jashtë Kosovës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, ndërkohë që në KQZ tregojnë se çfarë do të ndodhë me bashkatdhetarët që janë refuzuar deri më tash.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi për KosovaPress tha se deri më 22 nëntor, përmes platformës elektronike janë regjistruar afro 19 mijë votues.
"Është e rëndësishme ta theksojmë se procesi i regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës, nuk është përjashtues. Kjo do të thotë se nëse një shtetas i refuzohet aplikimi, ky nuk është një refuzim përfundimtar, pasi i njëjti ka të drejtë të ri-aplikojë. KQZ i informon individualisht aplikuesit e refuzuar për arsye të refuzimit të kërkesës së tyre dhe gjithashtu aplikuesit e refuzuar njoftohen se mund të ri-aplikojnë për regjistrim dhe të bashkëngjisin dokumentet e nevojshme për të përmbushur kërkesën e tyre në përputhje me udhëzimet e KQZ-së”, tha Elezi.
Elezi tregon numrin e aplikimeve të refuzuara qe nga fillimi i periudhës për regjistrim jashtë vendit dhe të atyre që janë regjistruar pasi kanë aplikuar serish.Elezi sqaron se në rastet kur aplikuesit konsiderojnë të padrejtë refuzimin për regjistrim si votues jashtë vendit, atëherë ka të drejtën e ankesës fillimisht në KQZ përmes e-mail, e më pas në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Më 29 gusht ka nisur aplikimi për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet parlamentare, e cila periudhë do të përfundojë më 26 dhjetor 2024.