Ish-kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë, Lorik Cana ka theksuar se vendimi i lojtarëve të Kosovës për ta braktisur ndeshjen ndaj Rumanisë në minutat shtesë nuk ishte i duhuri.
Në një intervistë ekskluzive për KosovaPress, ish-mesfushori kuq e zi ka thënë se i ka pëlqyer forca e përbashkët e skuadrës në atë ndeshje si dhe respektimi i vendimit të kapitenit Amir Rrahamani por ka vënë në pikëpyetje nëse një vendim i tillë - për ta braktisur ndeshjen - do të merrej sikur Kosova të ishte duke fituar në ato momente.
Ai shtoi se pamja në fushë ku e gjithë skuadra mbështeti vendimin e kapitenit Amir Rrahmani e bëri të ndjehej jashtëzakonisht mirë.
Cana thekson gjithashtu me bindje të plotë se Kosova nuk e ka vendin në Ligën C, por së paku një rang më lartë, në Ligën B.Në ndeshjen që u zhvillua në Bukuresht, në kuadër të Liges së Kombeve, lojtarët e Kosovës u larguan nga fusha në minutën e 92-të pas thirrjeve raciste nga tifozët rumunë.
Ditë më parë, shtëpia evropiane e futbollit - UEFA mori vendim që ndeshja e ndërperë ndërmjet Kosovës dhe Rumanisë t’i takojë rumunëve me rezultat zyrtar 3-0.