Kur do të vendosë Themelorja për gjykimin e terroristëve në rastin Banjska?
Tema
Lexohet për: 4 min.
ZKP ZKM 24 9 2023 (14)
1 javë më parë
Linku u kopjua

Gjykata Themelore në Prishtinë ende nuk ka vendosur se si do të vazhdojë lidhur me gjykimin e 42 të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, të cilët janë në arrati.

Ndërkohë, tre të akuzuar të tjerë për këtë sulm tashmë janë para gjykatës. Të njëjtit janë në paraburgim nga shtatori i vitit të kaluar.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi thotë për KosovaPress se kryetari i trupit gjykues në këtë rast, Arben Hoti është në fazën e “analizimit dhe vlerësimit lidhur me gjykimin në mungesë për 42 të akuzuarit tjerë”.

Ajo thotë se ky trup gjykues ende nuk ka marr asnjë vendim në këtë drejtim.

Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas përgjigjes së Gjykatës Supreme të Kosovës lidhur me rastin e gjykimit në mungesë, kryetari i Trupit Gjykues në këtë çështje penale është në fazën e analizimit dhe vlerësimit lidhur me gjykimin në mungesë, rrjedhimisht ende nuk është marr vendim nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thotë Gashi në një përgjigje me shkrim.

Në seancën e shtatorit, Themelorja njoftoi se do t’i drejtohet Gjykatës Supreme për të kërkuar opinion nëse në rastin “Banjska” mund të zhvillohet gjykimi në mungesë.

Supremja më pas sqaroi se nuk jep mendime juridike për dilemat që mund t’i ketë gjykata e shkallës së parë.

Aktakuza kundër personave që akuzohen për terrorizëm dhe financim të terrorizimit, është ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës më 11 shtator 2024.

Veprimi i organeve të drejtësisë erdhi një vit pasi në Banjskë të Zveçanit në veri të Kosovës, një grup terroristësh serbë sulmuan Policinë e Kosovës.

Aty mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Shumë nga terroristët që ishin të përfshirë në këtë sulm mendohet se janë në Serbi, ndërkaq përgjegjësinë për sulmin e kishte marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe - parti kjo që e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj vlerëson se gjyqtari do të duhej të merrte një vendim lidhur me këtë rast, por sipas tij nuk duhet të ketë vendim të ngutshëm.

Ai thekson se në këtë rast gjyqësor, gjykimi në mungesë nuk mund të aplikohet.

Arianit Koci, avokati i familjes së rreshterit të vrarë Afrim Bunjaku, është optimist që Gjykata Themelore në Prishtinë e ka prioritet këtë rast.

Koci thotë se edhe të akuzuarit e tjerë që janë në arriti, një ditë do “të jenë në duart e drejtësisë kosovare”.

Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq - tre të akuzuar për sulmin terrorist në Banjskë, ishin në sallën e gjyqit më 25 shtator në Prishtinë.

Prokuroria kishte propozuar që për 42 të akuzuarit e tjerë - prania e të cilëve nuk ishte siguruar - të zhvillohet gjykim në mungesë.

Por, kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti kishte vendosur që të marrë interpretim nga Gjykata Supreme se a mund të aplikohet gjykimi në mungesë në këtë rast, i paraparë në Kodin e Procedurës Penale.

Më vonë Supremja ia la në dorë Gjykatës Themelore që të vendosë tutje se si do të procedohet me 42 të akuzuarit që janë në arrati.

Në shqyrtimin fillestar, të akuzuarit Blagoje Spasojeviç dhe Vladimir Toliç nuk u deklaruan rreth fajësisë. Ndërkaq, Dushan Maksimoviç u deklarua i pafajshëm.

Në mesin e 45 personave ndaj të cilëve është ngritur akuzua, është edhe Radoiçiq si udhëheqës i grupit terrorist.

Sipas aktakuzës, ata kanë kryer veprën penale “Kryerja e veprës terroriste” dhe veprën penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.

Disa nga terroristët akuzohen edhe për financim të grupit e shpëlarje të parasë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024