Dallimet ndërmjet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrit, Albin Kurti, janë të pakapërcyeshme, thotë politologu, Artan Muhaxhiri. Sipas tij, adresimi vjetor i të parës së vendit para Kuvendit, ditë më parë, tregon se çarja mes krerëve të shtetit është e thellë, sidomos në raport me politikën e jashtme dhe dialogun. Megjithatë, ai thekson se shpërfaqja e dallimeve të Osmanit me Kurtin është e vonshme, pasi vendi tashmë është në fushatë zgjedhore.
Muhaxhiri në një intervistë për KosovaPress, flet për të ardhmen politike të presidentes, Vjosa Osmani, idenë e saj për zbatim të njëanshëm të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, vazhdimin e dialogut nën administratën e presidentit të sapozgjedhur të ShBA-së, Donald Trump, zgjedhjet e 9 shkurtit dhe koalicionet e mundshme paszgjedhore.
Duke folur për dialogun Kosovë-Serbi dhe presionin ndërkombëtarë për të dërguar draft-statutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese, ai thotë se kryeministri Kurti gjendet në një pozitë të vështirë, pasi progresi në dialog mbetet e vetmja alternativë. Ai kritikon Kurtin që nuk e ka shfrytëzuar kërkesën amerikane që bashkërisht të hartojnë një draft-statut të Asociacionit.
Sipas tij, katër vite në pushtet e kanë konsumuar politikisht kryeministrin Albin Kurti, andaj nuk pret që i njëjti të ketë rezultatin sikurse më 14 shkurt 2021.
Megjithatë, ai e sheh si të mundshme që ndonjë prej partive opozitare të lidh koalicion paszgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje.