Sot publikohen dorëshkrimet e Ismail Kadaresë
Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë dhe Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, bëjnë hapjen e ekspozitës “Dorëshkrimet e Ismail Kadaresë”.
Sipas njoftimit, ekspozita do të hapet në orën 11:00, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.
Kadare ka vdekur më 1 korrik 2024 në moshën 88 vjeçare.
Ai lindi në Gjirokastër, më 28 janar të vitit 1936. Ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popullor (1970-’82), zv/kryetar i Frontit Demokratik dhe një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë.
Si shkrimtar u shqua kryesisht për prozë, por kontributi i tij u shtri edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime. Nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar. Veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.
Në vitin 1996, Kadare u bë anëtar i përhershëm i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Është nderuar me shumë çmime ndërkombëtare, mes të cilëve Çmimin “Man Booker International” më 2005, çmimin “Princ i Asturias” për Artet më 2009 dhe Çmimin “Jeruzalem” më 2015. Viteve të fundit, ai e ndante kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë.