Mamusha bëhet me qendër të re të mjekësisë familjare
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Mamusha bëhet me qendër të re të mjekësisë familjare
1 javë më parë
Linku u kopjua

Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia përuruan sot Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Mamushë, investim ky i rëndësishëm për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në vlerë 757 mijë e 608 euro.

Kryeministri Kurti tha se do të vazhdojnë të investojnë në infrastrukturën shëndetësore.

“Do të ofrojmë shërbime cilësore dhe kushte të dinjitetshme, sikurse për profesionistët tanë ashtu edhe për qytetarët tanë pa dallim. Investimet e tjera, specifikisht këtu në Mamushë nuk po mungojnë, e nuk do të mungojnë asnjëherë, por do të shtohen gjithsesi", tha ai.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, theksoi se hapja e Qendrës kryesore të Mjekësisë Familjare në Mamushë do ta sjellë kujdesin shëndetësor sa më afër qytetarëve, duke e bërë qasjen në këto shërbime më të lehtë dhe më të shpejtë.

“Kujdesi parësor shëndetësor është pjesa më e rëndësishme e sistemit tonë shëndetësor dhe investimet në këtë pjesë janë shumë- shumë të rëndësishme. Sot po e hapim QKMF në Mamushë dhe siç e përmendi edhe kryeministri, janë edhe katër qendra të tjera që po  punohet nëpër komunat e Republikës, me investim shumicën nga Ministria e Shëndetësisë”, tha ministri Vitia.

Ai shtoi se përveç investimeve në infrastrukturë, po vazhdojnë edhe me investime në pajisje, automjete dhe autoambulanca, për t’iu bërë më të lehtë qytetarëve qasje në shërbimet shëndetësore.

QKMF-ja e përuruar sot do të ofrojë shërbime laboratorike dhe shërbime të diagnostikës, dhe është e pajisur me aparatin për rëntgen, i cili është siguruar si donacion nga Ambasada japoneze.

Ajo ka dy dhoma për dhënien e terapisë intravenoze, barnatore dhe kushte të përshtatshme për stafin mjekësor. Krahas shërbimeve tjera ofron edhe shërbimin stomatologjik.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024