Barnatorja qendrore e mbushur me barna pa afat, çka thotë MSh
Shëndetësi
Lexohet për: 2 min.
barnat
1 javë më parë
Linku u kopjua

Në pamundësi të asgjësimit, një numër i konsiderueshëm i barnave dhe materialeve medicinale me afat të skaduar janë grumbulluar në barnatoren qendrore pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. E nga viti 2010 në Kosovë nuk ka ndodhur asgjësimi i barnave pa afat.

Ndër medikamentet me afat të skaduar është edhe Remdesivir, bari të cilin qytetarët në kohën e pandemisë COVID-19, e blenë me çmime shumë të larta.

Drejtoresha e Barnatores Qendrore pranë QKUK-së, Dardane Mehaj për KosovaPress, thotë se barnat dhe produkte pa afat ruhen në kushte të veçanta të ndara prej barnave të tjera.

Për drejtoreshën e Barnatores Qendrore shkaktar për numër të madh të barnave me afat të skaduar po shihet keqplanifikimi i bërë nga klinikat dhe spitalet.

Ajo thekson nevojën për asgjësimin sa më të shpejt të ilaçeve me afat të skaduar me qëllim të lirimit të hapësirave të zëna.

Sa i përket procesit të asgjësimit të këtyre barnave në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se janë afër zgjidhjes së këtij problemi.

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Arsim Berisha tha se Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me GIZ-in gjerman po përcaktojnë një hapësirë për shkatërrimin e ilaçeve pa afat.

Në anën tjetër, derisa në sistemin shëndetësor publik po skadojnë ilaçe dhe materiale medicinale, qytetarët e Kosovës po vazhdojnë të blejnë barna me çmime të larta.

E nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve bëjnë thirrje për hetim nga Prokuroria e shtetit për menaxhimin e barnave.

Besim Kodra nga kjo shoqatë e sheh shqetësues faktin e skadencës së barnave, derisa qytetarët po blejnë barna me çmime marramendëse në sektorin privat.

Ligji që parashihte rregullimin e çmimit të barnave për blerjet publike dhe tregun privat është miratuar në korrik të vitit të kaluar, por në mungesë të listës për çmimin e produkteve medicinale ende nuk ka nisur zbatueshmëria e tij.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024