Për herë të parë në Kosovë, Spitali Amerikan realizon një intervenim me endoskopi tek një 6-vjeçar
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Për herë të parë në Kosovë, Spitali Amerikan realizon një intervenim te një 6-vjeçar
1 javë më parë
Linku u kopjua

Për herë të parë në Kosovë është realizuar një intervenim me endoskopi në Spitalin Amerikan. Rreth një orë e gjysmë ka zgjatur operacioni i një fëmije 6-vjeçar, me një patologji në zonën e sinusave. Intervenimi i cili u konsiderua shumë sfidues nga doktor Arsim Thaqi, u realizua të enjten në mëngjes dhe u përfundua me sukses. Prindërit mes emocioneve kanë folur pas operacionit, të cilët kanë shprehur falënderimin ndaj stafit mjekësor.

Doktor Arsim Thaqi, i cili është specialist i Otolaringologjisë tregoi detajet e këtij intervenimi, që siç tregoi, shënon sukses në mjekësinë kosovare.

"Sapo ka përfunduar para pak minutave një operacion tek një fëmijë i moshës gjashtë-vjeçare, me një patologji në zonën e sinusave. Patologjia më saktësisht e ka burimin nga sinusi maksillar, por në këtë rast ka qenë një patologji jashtëzakonisht e madhe e theksuar që ka arritur diku deri në 10 centimetra, që ka arritur të shkojë deri tek fyti dhe t'i bllokon rrugët e frymarrjes tek ky fëmijë. Arsyeja pse mjekët e kanë pasur të vështirë ta diagnostifikojnë, janë bazuar që mos ka ndonjë alergji dhe ka shkuar një kohë e gjatë deri në momentin e diagnostifikimit. Pastaj për të vërtetuar diagnozën kemi bërë një rezonancë magnetike dhe aty u diagnostifikua", tha ai.

Patologji të tilla janë të rralla, për çka doktor Thaqi tha se një intervenim i tillë ka qenë shumë sfidues.

"Mendoj që operacionet endoskopike nga zgavrat natyrale të hundës tek fëmijët janë shumë shumë sfiduese. Dhe është operacioni i parë që u krye në Kosovën tonë nga rrugët endoskopike edhe është dhënë maksimumi. Përvoja ime shume vjeçare në këtë fushë edhe për mua sfiduese pasi që në këtë moshë nuk kam operuar asnjëherë në Kosovë dhe kisha dëshirë që ta kryejmë para festave të nëntorit dhe mos të largohen fëmijët tanë jashtë shtetit", shtoi ai.

Babai i fëmijës 6-vjeçar, Florim Kamberi tha se ky intervenim ka qenë i domosdoshëm dhe u shpreh falënderues që një gjë e tillë është kryer në Kosovë.

"I kemi besuar prej momentit të parë [doktorit], dhe kemi pasur shumë besim se ka është rast më specifik. Edhe djali i vogël, gjashtë vjet, është dashur patjetër të operohet. Pas konsultave me doktorin, jemi konsultuar dhe e kemi parë që është e domosdoshme që të operohet dhe e falënderojmë doktorin shume dhe jemi shumë krenar që kemi doktor të tillë në Kosovë dhe të arrit kësi operacione", përfundoi Kamberi.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024