Kuvendi i Shqipërisë zhvillon sot seancën plenare ku në rend të ditës është shqyrtimi në parim i projektbuxhetit 2025.
Kuvendi njoftoi se seanca plenare do të zhvillohet në ora 10:00 me urdhër të Kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali.
Sipas relacionit të projektbuxhetit, aktiviteti ekonomik do të vazhdojë të mbështetet kryesisht nga kërkesa e brendshme, nga rritja e mëtejshme e konsumit privat, ashtu edhe nga investimet në infrastrukturë si dhe zhvillimi i sektorëve strategjikë si turizmi.
Të ardhurat totale të buxhetit të shtetit parashikohen të arrijnë 754.6 miliardë lekë. Programimi i të ardhurave buxhetore bazohet në përmirësimin e administrimit fiskal dhe minimizimin e informalitetit në ekonomi. Të ardhurat buxhetore për vitin 2025 parashikohen në nivelin 28.8% e PBB.Shpenzimet buxhetore për vitin 2025 programohen në masën 822.7 miliardë lekë ose rreth 31.4% e PBB duke rezultuar rreth 51.4 miliardë lekë më shumë se plani i rishikuar i vitit 2024.
Investimet Publike për vitin 2025 janë planifikuar në masën 6.2% e PBB ose 161.8 miliardë lekë.
Shpenzimet e buxhetit vendor për vitin 2025, janë parashikuar në masën 89.9 miliardë lekë, me një rritje prej 13.2% më shumë se buxheti i vitit 2024. Këto shpenzime për vitin 2025, zënë 3.43% të PBB-së nga 2.9 që zinin në vitin 2024 ose nga 2.3% në vitin 2015.
Gjithashtu edhe borxhi publik bruto do vijojë trajektoren rënëse në përputhje me rregullin respektiv fiskal. Në vitin 2024 parashikohet që borxhi publik bruto të bjerë në rreth 56.3 % të PBB dhe pritet të vijojë të bjerë më tej në rreth 55.8 % në vitin 2025.
Sipas skenarit bazë, borxhi publik bruto pritet të bjerë në rreth 55.0 % në vitin 2026 dhe më tej në rreth 48.5 % në vitin 2031./ATSH/