Gjyqtarët në sy të kritikave, kërkohet formimi i shoqatës për mbrojtjen e tyre
Tema
Lexohet për: 3 min.
2 javë më parë
Linku u kopjua
Kritikat e ashpra të drejtuesve të klubeve dhe trajnerëve po konsiderohen të panevojshme dhe të tepruara. Megjithëse gjyqtarët kosovarë në shumë raste marrin besimin e UEFA-s për të ndarë drejtësinë në ndeshje ndërkombëtare, në Kosovë ata janë në syrin e kritikave për shkak të vendimeve të tyre në ndeshjet e futbollit.
Ish-gjyqtari Shyqri Gashi, thotë se në Kosovë gjyqtarët nuk janë të mbrojtur ashtu siç duhet, pasi çdo klub dëshiron me “çdo kusht” fitoren.
“Dukuritë janë që secili klub, secili menaxher e trajner ka dëshirë të fitojë dhe tani gjënë më të vogël që e bënë gjyqtari, të gjithë shkojnë (ankohen) te gjyqtari ...Kështu që gjyqtarët në përgjithësi nuk janë shumë të mbrojtur sa është dashur të jenë. Ne kemi për momentin arbitra shumë të mirë në Superligën e Kosovës. Aty janë vërejtur edhe referimet e tyre që kanë dalë edhe në Evropë, kështu që nuk ka vërejtje nga lart, por gjithnjë ka vërejtje te klubet tona, të cilat gjithnjë dëshirojnë të fitojnë me çdo kusht ndeshjen, nuk pranojnë kurrsesi humbjen”, thotë Gashi.
Nga ana tjetër, eksperti i arbitrimit, Hajriz Hajdari bën thirrje që të krijohet Shoqata e Gjyqtarëve të Kosovës, e cila do të mbronte gjyqtarët në raste të tilla. Madje, ai thotë se krijimi i kësaj shoqate është e paraparë edhe me rregullat e UEFA-s dhe FIFA-s.
Hajdari tregon se Shoqata e Gjyqtarëve ishte shuar në kohën e kryetarit të FFK-së Fadil Vokrri për shkak të ndërhyrjeve dhe konflikteve për delegimin e gjyqtarëve për ndeshjet që do të zhvilloheshin.
Ndryshe, pakënaqësitë e trajnerëve dhe drejtuesve të klubit ndaj gjyqtarëve kanë nisur edhe për shkak të vendimit të Federatës së Futbollit të Kosovës që caktimi i tyre për ndeshjet e Superligës së Kosovës të bëhet përmes shortit, e jo përmes delegimit siç ishte praktikuar deri një vit më parë.
KosovaPress ka kërkuar përgjigje për këtë çështje edhe nga kryetari i Komisionit të Gjyqtarëve në Federatën e Futbollit të Kosovës, Përparim Hasani por ai nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij teksti.