Kosova stagnon me statistika për fuqinë punëtore, kritikohet nga Komisioni Evropian
Tema
Lexohet për: 4 min.
sheshi
2 javë më parë
Linku u kopjua

Kosova po përballet me vonesa në publikimin e statistikave të fuqisë punëtore për vitin 2024. Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) vazhdon të mos ketë të dhëna zyrtare sa i përket numrit të fuqisë punëtore për vitin 2024, ndërkohë që vendet e rajonit i kanë publikuara këto statistika. Edhe Komisioni Evropian në Raportin e Progresit e ka “qortuar” Kosovën për vonesën e publikimit të të dhënave për shkallën e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore. Në raportin për vendin është evidentuar po ashtu se tregu i punës në Kosovë vazhdon të vuajë nga pjesëmarrja shumë e ulët dhe papunësia e lartë.

Ndërsa sa i përket vitit 2023, Kosova vazhdon të ketë numrin më të madh të papunëve, krahasuar me vendet e rajonit. Sa i përket të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës del se rreth 40 për qind të popullsisë së aftë për punë, janë të punësuar. Ndërsa, gati 700 mijë qytetarë në moshë pune janë jo aktivë, ose rreth 60 për qind  (nuk punojnë as nuk kërkojnë punë).

Bujar Hajrizi nga Agjencia e Statistikave të Kosovës thotë për KosovaPress se në raportin e fundit për vitin 2023, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore ishte 40.7, derisa shton se shkalla e jo aktivitetit ishte 59.3.

“Në vitin 2023 shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore ishte 40.7 (të aftë për punë) për qind, ku prej tyre ishin 57.8 për qind meshkuj dhe 24.2 për qind femra. Kurse shkalla e jo aktivitetit ishte 59.3 për qind, gjithsej prej tyre 42.2 për qind meshkuj si dhe 75.8 për qind femra. Ndërsa raporti punësim ndaj popullsisë që është shkalla e punësimit ishte 36.3 për qind, prej tyre 53.4 për qind meshkuj, si dhe 19.8 për qind femra. Në anën tjetër, shkalla e papunësisë në vitin 2023 ishte 10.9 për qind, prej tyre 7.7 për qind meshkuj dhe 18.2 femra. E shprehur në numra absolut, fuqi punëtore ishin 477 mijë e 350 persona, prej tyre 333 mijë e 19 persona ishin meshkuj, ndërsa femra ishin 144 mijë e 331. Prej tyre të punësuar ishin 425 mijë e 499 persona ishin të punësuar, prej tyre meshkuj 307 mijë e 509, si dhe femra ishin 117 mijë e 990 persona. Kurse persona të papunësuar sipas anketës së fuqisë punëtore në numra absolut ishin 51 mijë e 851 persona, kurse prej tyre meshkuj ishin 35 mijë e 510, dhe femra 26 mijë e 341”, thotë Hajrizi.

Hajrizi nga ky institucion thotë se edhe në Kosovë anketa e fuqisë punëtore zhvillohet në kuadër të njësive banesore në bazë të metodologjisë së Bashkimit Evropian, EUROSTAT-it. Ndërsa, thotë se nuk marrin të dhëna për punësimin nga institucionet vendore, Trusti dhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK).

Megjithatë, nga Agjencia e Statistikave kanë treguar se si trajtohet punësimi dhe papunësia në vend.

Sipas Hajrizit për dallim nga të punësuarit, persona të papunësuar janë të gjithë ata persona të cilët gjatë javës referente nuk kanë punuar.

Ai shprehet se personat e fuqisë punëtore janë të gjithë ata persona të cilët janë të punësuar dhe të papunësuar, të cilët e përbëjnë fuqinë punëtore në moshën e popullsisë. Ndërsa, shpjegon edhe si llogaritet një fuqi jo aktive.

Ndërsa, sipas Bankës Botërore, Kosova vazhdon të ketë numrin më të madh të papunësisë në rajon. Sipas raportit të fundit të BB-së vetëm 37 për qind e popullsisë së aftë për punë janë të punësuar.

https://kosovapress.com/ke-kosova-vuan-nga-papunesia-dhe-emigrimi-i-larte

https://kosovapress.com/punesimi-ne-kosove-statistika-te-manipuluara-apo-reale

https://kosovapress.com/banka-boterore-parashikon-kete-perqindje-te-rritjes-ekonomike-per-kosoven-dhe-rajonin

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024