Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, thotë në një intervistë për KosovaPress, se Marrëveshja Bazë e Brukselit dhe aneksi i Ohrit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është historike. Sipas tij, marrëveshja e arritur në vitin 2023, me ndërmjetësimin e Bashkimin Evropian, është ligjërisht e obligueshme dhe sjell gjëra konkrete për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë. Ai thotë se kjo marrëveshje për Kosovën sjell njohje të integritetit territorial, andaj siç thekson diplomati francez, është në interesin e vet Kosovës që ujdia të zbatohet.
Guerot thekson për KosovaPress, se mbështetja e Francës për një Kosovë të pavarur dhe sovrane nuk ka ndryshuar, dhe është aty si kurrë më parë.
Sipas tij, BE-ja konsideron se ky propozim është në tërësi në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, mirëpo siç deklaron ai, testi më i mirë është dërgimi i tij në Gjykatën Kushtetuese dhe më pastaj ky institucion të tregojë se në çfarë mase ky dokument është në përputhje me Kushtetutën. Dërgimi i draft-statutit në Kushtetuese, ambasadori francez thotë se është kusht edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.
“Marrëveshja e Brukselit e 27 shkurtit është një marrëveshje historike. Ajo sjell shumë gjëra shumë konkrete për normalizimin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Për Kosovën do të thotë njohje e integritetit territorial, marrëdhënie të mira fqinjësore dhe elemente të tjera. Pra, është në interesin e Kosovës që kjo marrëveshje të zbatohet, është gjithashtu një angazhim i Kosovës dhe i Serbisë. Ne mendojmë se këto marrëveshje janë ligjërisht të detyrueshme, kanë qenë kur është fjala për pranimin e Serbisë në BE, janë përfshirë në atë që quhet kapitulli 35. Kështu që janë pjesë integrale e diskutimit që ne e konsiderojmë këtë marrëveshje ligjërisht të detyrueshme edhe për Kosovën, dhe zbatimi i kësaj marrëveshjeje është kyç për Serbinë por edhe për Kosovën në rrugën e integrimeve evropiane”, thotë ai.Ai thotë se Franca por edhe aleatët perëndimor kanë qenë vendimtarë për çlirimin e Kosovës në vitin 1999 dhe njohën e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Prandaj, siç thotë ai nuk duhet të ketë frikë nga ndonjë veprim nga ana e tyre që do të kishte ndikim të dëmshëm për Kosovën.
Në anën tjetër, ambasadori Guerot thotë se mbështesin anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, mirëpo shton se kusht për këtë është dërgimi i draft-statutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese.