Magjia e Vermoshit nën vellon e dëborës, Rama: Shijoni Alpet edhe gjatë dimrit
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka publikuar një video nga Vermoshi, që tregon peizazhin e mbuluar nga dëbora e parë e sezonit.
Rama e përshkruan këtë pamje si një ftesë për qytetarët që të vizitojnë Alpet gjatë dimrit, falë aksesit të lehtësuar rrugor.
“Me magjinë e Vermoshit nën vellon e dëborës së parë, si një ftesë ndjellëse për të shijuar Alpet edhe gjatë dimrit falë aksesit të lehtë rrugor”, shkruan Rama në rrjetet sociale.
Vermoshi është një ndër destinacionet turistike në Qarkun e Shkodrës, jo vetëm sa i përket klimës malore, por edhe për të apasionuarit e alpinizmit.
Rikualifikimi urban i fshatit turistik të Vermoshit, rindërtimi i rrugës, ndërtimi i Qendrës së Turizmit e kanë shndërruar edhe këtë zonë në një prej destinacioneve më të frekuentuara gjatë gjithë vitit nga turistë vendas e nga vende të ndryshme të botës.
Qendra e Vermoshit është transformuar tërësisht, ku shtëpitë tradicionale alpine, dikur të rrënuara, sot janë kthyer në bujtina mikpritëse për vizitorët.
Bujtinat e ngritura i japin kësaj zone një shembëlltyrë të ngjashme me bujtinat alpine të Zvicrës.
Fshati më i madh i Alpeve të Shqipërisë, Vermoshi është një luginë me origjinë akullnajore, e vendosur në lartësinë 1100 metra mbi nivelin e detit.
Në të dyja anët e luginës, ngrihen shpate malesh me pjerrësi të konsiderueshme dhe të veshura me pyje dhe kullota. Vermoshi shquhet për panoramën e tij, si dhe për reshjet e dëborës që zgjasin afro 100 ditë në vit.
Aktivitetet kryesore të cilat mund të zhvillohen në Vermosh, janë ngjitjet malore në Malësinë e Marlules apo edhe shëtitjet në luginat e thella alpine të Lepushës dhe Cemit./ATSH/