Nominimi i senatorit Marco Rubio si sekretar i Shtetit në administratën e re amerikane, po mirëpritet në Kosovë. Pozitë e opozitë, por edhe njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare konsiderojnë se nominimet e presidentit të zgjedhur, Donald Trump, në pozitat kyçe të institucioneve në SHBA janë hap pozitiv edhe për Kosovën dhe thellimin e partneritetit me aleatin kryesor.
Të mërkurën, Trump vendosi që Marco Rubio të jetë sekretar Shteti në administratën e tij të re, kurse John Ratcliffe, drejtor i ri i inteligjencës kombëtare.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryetare e Komisionit parlamentar për punë të jashtme, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, thotë për KosovaPress se emërimet e reja në administratën Trump janë pozitive. Sipas saj, të njëjtat dëshmojnë se partneriteti Kosovë-SHBA do të vazhdojë edhe më tutje.
Në anën tjetër, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj thotë se përzgjedhjet e presidentit Trump në pozitat kyçe të institucioneve amerikane kanë vlera për Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi.Me gjithë kritikat nga opozita, dëmtimin e raporteve me SHBA-në gjatë qeverisjes së kryeministrit Kurti e mohon deputetja e LVV-së, Kryeziu-Hyseni.
Sa i përket “përplasjeve” me ish-emisarin e SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, i cili ka shërbyer gjatë administratës së parë të presidentit Trump, ajo konsideron se kryeministri Kurti s’ka pasur polemika më të, mirëpo “vetëm qëndrime të kundërta në momente të caktuara”.
Në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit në SHBA, kandidati i republikanëve, Donald Trump, është shpallur presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara duke siguruar rreth 276 vota të Kolegjit Elektoral.
Fitoren e Trumpit e kanë përshëndetur liderë botërorë. Ai u urua edhe në Kosovë - shtetin që ka gëzuar përkrahjen e SHBA-ve, pavarësisht kush ka qenë në krye të administratës amerikane./E.Zeqiri
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...