Në kuadër të ushtrimit fushor ”Ujku i Çeliktë”, Forca e Sigurisë së Kosovës ka organizuar Ditën e Vizitorëve me ç’rast u demonstruan edhe disa operacione ushtarake.
Ky ushtrim fushor u realizua në poligonin ushtarak në Babaj të Bokës në Gjakovë, ndërsa nga afër këtë ushtrim fushor e përcolli komandantja supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Vjosa Osmani bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci e komandantin e përgjithshëm të FSK-së, Bashkim Jashari.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se stërvitja fushore “Ujku i Çeliktë” dëshmoi përkushtimin dhe gatishmërinë për mbrojtjen e territorit të Kosovës.
Komandantja supreme teksa u shpreh shumë krenare për Forcën e Sigurisë së Kosovës tha se ky ushtrim fushor demonstroi qëndrueshmëri dhe guxim.Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ushtrimi i sotëm është më i madhi dhe më i sofistikuari i Forcës së Sigurisë se Kosovës.
Kurti para ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës tha se më ushtrimin e sotëm u tregua se Kosova po bëhet gati me zell të madh për Defender 2025.