Në qendrat shëndetësore në të gjithë Shqipërinë vijon vaksinimi falas kundër gripit të stinës.
Vaksinimi po kryhet te grupet e rrezikuara, si personeli shëndetësor, fëmijët, gratë shtatzëna, të sëmurët kronikë dhe të moshuarit.
“Vaksinimi është mjeti më i mirë dhe i sigurt për të parandaluar format e rënda të gripit. Forcojeni imunitetin duke u vaksinuar”, tha Koçiu në një postim në rrjetet sociale.
Në videon e publikuar nga Koçiu, mjekja e familjes në qendrën shëndetësore nr. 1 në Tiranë tha se “virozat e stinës zgjasin 3-5 ditë. Një mundësi shumë e mirë ndaj këtyre virozëve është vaksinimi me vaksinën ndaj virusit të influencës. Kjo vaksinë ofrohet falas në të gjitha qendrat shëndetësore të shërbimit parësor për të gjitha kategoritë vulnerabël siç janë mosha mbi 65 vjeç dhe të sëmurët kronikë. Sipas vlerësimit të mjekut pediatër kjo vaksinë mund të aplikohet edhe tek fëmijët”.Në qendrat shëndetësore ka nisur në 7 tetor vaksinimi falas kundër gripit, si mjeti më efikas dhe mbrojtja më e mirë kundër virozave respiratore që shkaktohen nga ky virus.
Këtë vit Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka siguruar 20 mijë doza më shumë se një vit më parë dhe do të vijojë të kryhet për grupet e riskut sipas një kalendari të përcaktuar nga strukturat e shëndetësisë.