Rusia është përballur me muajin më të rëndë në tetor sa i përket viktimave në fushëbetejë prej se nisi lufta në Ukrainë, tha të dielën shefi i Shtabit të Mbrojtjes i Britanisë së Madhe, Tony Radakin.
Forcat ruse pësuan mesatarisht rreth 1.500 të vrarë apo plagosur brenda ditës në Ukrainë gjatë muajit tetor, sipas Radakinit.
Radakin tha për BBC se populli rus po e “paguan një çmim shumë të shtrenjtë” për pushtimin e Ukrainës që presidenti i tij, Vladimir Putin, e nisi në shkurt 2022.
“Numri i të vrarëve apo plagosur është gati të arrijë në 700.000 për Rusinë. Kjo është dhimbja dhe vuajtja e madhe që kombi rus duhet ta durojë për shkak të ambicieve të Putinit”, tha ai.Kostoja e luftës, e cila sipas tij është mbi 40 për qind e shpenzimeve publike në mbrojtje dhe siguri, është gjithashtu duke e “shteruar” Rusinë.
Radakin tha se aleatët perëndimorë do t’i qëndrojnë pranë Ukrainës “sa të jetë e nevojshme”, pavarësisht dyshimeve që kanë lindur për mbështetjen amerikane pasi Donald Trumpi i fitoi zgjedhjet presidenciale në fillim të javës.