Dimrit i mbajmë fëmijët vetëm nëpër mjekë për shkak të lagështirës në shtëpi. Kështu thotë prindi i dy fëmijëve, pesë dhe katër vjeç, të cilët nuk i gëzojnë as kushtet elementare për jetesë. Përveç banimit me qira, që rrezikohen të dëbohen ditë pas dite, familja Tahiri shpreh nevojën edhe për gjëra ushqimore.
Merita Tahiri thotë se përveç banimit, nuk kanë mundësi të sigurojnë ushqimin e as rrobat për fëmijët. Ajo tregon se për shkak të qarjes së murit, shiu depërton brenda dhomës.
"Kushtet shumë të vështira janë, nuk po kemi. Fëmijët po kërkojnë të hanë dhe të vishen, ne nuk po kemi. Dimrit shumë ftohtë është, shumë ftohtë....Hyn shiu aty (në shtëpi), pikon, është çarë. Një dhomë e kemi edhe asgjë tjetër, edhe banjon, asgjë tjetër. E kam një vajzë dhe një djalë. Vajzën kam në shkollë, klasën e parë. Djali i ka katër vjet. Vajza po kërkon libra, lapsa, ne nuk po kemi mundësi. Për gjëra ushqimore si ia bëni? Marrë ndihma nga pak na japin. Kemi nevojë për ndihma. Jemi me qira, duhet të paguajmë qiranë. Po na thonë 'dilni nga shtëpia'. Ne ku të shkojmë, nuk kemi ku të shkojmë. Sa e paguani qiranë? E paguajmë 160 euro. Më së shumti kam nevojë ta kem një shtëpi, t'i rehatojë këta fëmijë më së shumti edhe për gjëra ushqimore të na ndihmojë dikush. A keni bërë kërkesë për ndihmë në komunë. Kemi bërë kërkesë por asgjë. Nuk na ndihmojë fare", thotë Tahiri.
Përveç këtyre, kryefamiljari Tahiri tregon se iu është mohuar e drejta për marrjen e ndihmës sociale.
"Ne kemi ardhur prej fshatit Koliq (Podujevë). A keni tokë atje? Jo. A punoni diku? Punoj privat ngapak. A e keni provuar të hyni në punë të rregullt me pagë komplet ose nuk jeni mirë me shëndet? Jo, nuk kam shikuar. Përse? Kur shkojsha më thoshin të lajmërojmë, të thirrim, më pas nuk më kanë thirrur më. Ju jeni ia aftë për punë, por nuk po gjeni punë? Jo, kam aplikuar, por nuk po më thërrasin. Nëse të gjendet puna, ju mund të punoni. Po, mundem pa pikë problemi...Vetëm punë të jetë, s'ka problem. Jeta e vështirë, sepse në shtëpi të huaj është problem. Nesër të më thotë pronari 'lëshoje shtëpinë' ku të shkojë me fëmijët. Dimri është ftohtë, sepse ngrehë lagështirë këtu. A sëmuren fëmija shpesh? Dimrit më shumë vetëm nëpër mjek i mbajmë, a verës kurrë nuk sëmuren. Pse nuk merrni social? Një herë kur kemi qenë t'i rregullojmë (dokumentet), kanë thënë që 'nuk të takon më sociali ty'. A të kanë dhanë arsye pse? Jo. Pastaj, ne nuk jemi shkuar fare”, tregon Tahiri.
Ndërkaq, qyteti i Mitrovicës vazhdon të prijë me numrin më të madh të rasteve sociale, me 1 mijë e 819 raste. Pastaj është Vushtrria, me 1 mijë e 142 raste. Pas këtyre dy qyteteve, vjen Gjakova me 990 raste dhe Lipjani me 942 raste. Peja renditet pas Lipjanit me 911 familje, të cilat marrin asistencë sociale.
Ndërkaq, në nëntor të vitit 2021, ndihmë sociale kanë përfituar 25 mijë e 514 familje, ndërsa një vit më parë, në po këtë periudhë të vitit 2020, ky numër ishte 24 mijë e 496. Në krahasim me vitet pasuese, në vitin 2015, shifra e familjeve që kanë marrë asistencë sociale ishte më e lartë, duke arritur në 27 mijë 609 familje.
Ndërkohë, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve brenda këtij viti ka paralajmëruar reforma në skemën për ndihmë sociale.
Ish-drejtori i Qendrës për Punë Sociale (QPS) në Prishtinë, Vebi Mujku konsideron se varfëria mund të zbutet përmes krijimit të vendeve të punës për këtë kategori dhe jo rritja e ndihmave ose lëmoshave të tjera.
Para pak ditësh edhe ministri i Financave, Hekura Murati ka njoftuar se 1 mijë e 824 familje në nevojë do të përfitojnë mbështetje financiare si pjesë e pilotimit të reformës së skemës së asistencës sociale në grupin e parë.