Miftari: Rritja e aktivitetit fizik dhe kualifikimi i trajnerëve, prioritete të Fakultetit të Sporteve
Intervista
Lexohet për: 3 min.
Florian Miftari dekan i fakultetit te edukimit fizik
3 javë më parë
Linku u kopjua

Rritja e aktivitetit fizik te grup-moshat e reja, hulumtimet shkencore në sport,  trajnerët dhe mentorët sportivë janë disa nga objektivat kryesore që dekani i ri i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sporteve Florian Miftari synon t’i çojë përpara në mandatin e tij.

Ai në një intervistë për KosovaPress thotë se hulumtimet shkencore do të hapin rrugë për të ngritur performancën e sportistëve të rinj.

Miftari thotë se Fakulteti i Edukimit Fizik synon të kualifikojë menaxherë dhe administratorë të rinj të sportit, por edhe trajnerë kondicionalë.

“Në të ardhmen Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit të kualifikojë edhe menaxherë të sportit, administrues të sportit, të cilët mund të punojnë në federata, komitete olimpike, klube, fitnese e të tjera. Përveç që ne kualifikojmë arsimtarë të Edukatës Fizike, specialistë të rinj të Edukatës Fizike mendojmë që të prodhojmë ose kualifikojmë në të ardhmen edhe preperatorë fizikë, do të thotë trajnerë kondicionalë në aspektin edhe të fushës së psikologjisë. Të gjitha këto janë fusha deficitare që asnjëherë nuk i kemi mbuluar. Por, për të gjitha këto programe na nevojitet infrastruktura”, thekson Miftari.

Miftari thotë se “mrekullia në sport” do të ndodhë nëse federatat dhe institucionet sportive fokusohen fuqishëm në edukimin e gjeneratave të reja.

Miftari shprehet i shqetësuar me rënien e aktivitetit fizik te të rinjtë, derisa sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë brenda ditës një fëmijë duhet të ketë të paktën një orë aktivitet fizik.

“OBSH (Organizata Botërore e Shëndetësisë) e parasheh që 60 minuta të ketë një fëmijë aktivitet fizik në ditë, e sa bëjnë fëmijët tanë aktivitet fizik në ditë në këtë kohën e teknologjisë pothuajse është zero...Kështu që është momenti i fundit që ne si qeveri, si shtet e si popull të bëjmë njerëz të shëndoshë. Nuk është esenca që ajo vajzë apo ai djalë të bëhet sportistë, esenca është që të bëhen të shëndoshë, të kenë mundësi që të lëvizin sa më shumë dhe këtu iu bëjë apel të gjithë arsimtarëve të edukatës fizike që të merren më seriozisht me këtë temë”, shprehet Miftari.

Miftari bën thirrje për investim më të madh në infrastrukturën sportive duke thënë se sallat dhe terrenet sportive të ndërtuara në vitet e 70-ta tashmë po bëhen të papërdorshme dhe kjo e pengon zhvillimin e hovshëm të sportistëve të rinj.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024