Presidentja Vjosa Osmani ka takuar sot homologun e saj bullgar Rumen Radev, me të cilin ka diskutuar mbi bashkëpunimin në politikën e jashtme, mbrojtje, arsim, si dhe mundësitë e reja për fuqizimin e raporteve ndërmjet dy shteteve.
Osmani në një postim në Facebook ka theksuar se Bullgaria ka qenë gjithmonë mbështetëse e fuqishme e përpjekjeve të Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE dhe Këshillin e Evropës në vitin 2022. Ndërkohë Kosova vazhdon të mbetet e sanksionuar për gati një vit e gjysmë nga masat e BE-së, të cilat përfshijnë suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për MSA, mos ftesën në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale, suspendimi i programimit të fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit). Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, pati deklaruar se masat do të hiqen kur vendet anëtare të BE-së vendosin.