Largimi i afateve shtesë për provime në Universitetin e Prishtinës ka ndikuar që Parlamenti Studentor të paralajmërojë protestë për ditën e martë para Rektoratit, pasi studentët po refuzojnë propozimin e rektorit Arben Hajrullahu që afatet shtesë të provimeve të zëvendësohen me vlerësimin e vazhdueshëm.
Përfaqësuesi nga Parlamenti i Studentëve të UP-së, Fatjon Haxhaj në një prononcim për KosovaPress ka paralajmëruar vazhdimin e bojkotimit të mësimit dhe protestave deri në plotësimin e kërkesave për mbajtjen e afateve shtesë të provimeve për nëntor dhe prill.
Haxhaj thekson se anulimi i mbajtjes së afateve shtesë për provime i dëmton studentët, duke rezultuar me humbjen e vitit akademik dhe bursave universitare.
Ai shprehet optimist se me rektorin Hajrullahu do të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme, pasi sipas tij “ngërçi” i krijuar nuk i konvenon askujt.Më 6 nëntor Parlamenti Studentor i UP-së u bëri thirrje studentëve të UP-së që ta bojkotojnë mësimin, pas pakënaqësive me vendimin e rektorit Hajrullahu për emërimin e komisionit të përkohshëm për shqyrtimin e kërkesës që kanë parashtruar për mbajtjen e afateve shtesë të provimeve, për të cilin thanë se e kanë pranuar po atë ditë.
Statuti i ri i UP-së "Hasan Prishtina", për dallim nga vitet e kaluara, nuk përmend mundësinë e mbajtjes së afateve shtesë për provime. Dje, rektori Hajrullahu u bëri thirrje studentëve që “të mos bien pre e dezinformatave dhe lajmeve të rreme”, por të shkojnë në Rektorat të diskutohet për zgjidhje. Ndër të tjera, ai potencoi se kanë një sistem elektronik për të përcjellë të arriturat e studentëve, por atë që e ka gjetur, është se ky sistem nuk është përdorur nga “grupi i profesorëve dembelëve”, gjë që theksoi se nuk do ta lejojë këtë situatë me të cilët i kanë futur studentët në “gërshërë”.