Çitaku: Qeveria po abuzon me pushtetin, ambasadat po i përdorë për fushatë elektorale
Lajme
Lexohet për: 2 min.
vlora citaku
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, i ka bërë thirrje kryeministrit dhe ministres së Punëve të Jashtme të mos i përdorin Ambasadat për qëllime partiake e fushatë elektorale.

Çitaku në një konferencë për media, tha se diplomatët, të cilët duhet t’i shërbejnë çdo qytetari me dinjitet dhe paanshmëri, po detyrohen të organizojnë takime partiake, duke keqpërdorur detyrën zyrtare dhe burimet shtetërore.

“Ditëve të fundit, kryeministri i Kosovës dhe Ministrja e Punëve të Jashtme po e keqpërdorin hapur pushtetin e tyre politik, paratë e taksapaguesve dhe institucionet tona për të kryer një fushatë partiake në diasporë. Kjo qeveri e zgjedhur për t’u shërbyer qytetarëve, tani po e kthen shtetin dhe burimet e tij në mjete për përfitime partiake. Qeveria e Kosovës po tenton që të kamuflojë agjendën partiake si punë zyrtare qeveritare – por qëllimi i tyre i vërtetë është mëse i dukshëm. Kjo sjellje e Qeverisë nuk është vetëm zhgënjyese; është e papranueshme dhe e turpshme. Dhe, mbi të gjitha, është një manipulim i diasporës sonë, e cila meriton respekt dhe ndershmëri, jo skema të ulëta politike. Bashkatdhetarët tanë në mërgatë kanë treguar një përkushtim të palëkundur ndaj Kosovës ndër dekada. Ata meritojnë respekt, jo manipulim”, ka thënë më tutje Çitaku.

Çitkau ka treguar se në fushatën e tyre, Kryeministri dhe Ministrja e Jashtme po e kalojnë çdo kufi, duke ushtruar presion ndaj diplomatëve të Kosovës nëpër botë, duke i detyruar që të organizojnë takime fushate nën petkun e punës shtetërore.

Në fund të fjalimit të saj, Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së tha se 9 shkurti është fundi i këtij mentaliteti qeverisës dhe fillimi i një epoke të re me Bedri Hamzën kryeministër.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024