Ku mbeti reforma në sistemin e drejtësisë?
Tema
Lexohet për: 3 min.
ligji gjykata drejtesia (1)
4 javë më parë
Linku u kopjua

Vettingu në sistemin e drejtësisë, Ligji për Këshillin Prokurorial dhe Byroja për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme...

Këto ishin ndërhyrjet kyçe të cilat i kishte paraparë qeveria me qëllim të reformës në drejtësi, por asnjëherë nuk u realizua.

Ministria e Drejtësisë kishte punuar në hartimin e këtyre tri projektligjeve por ato rrugës u rrëzuan nga Gjykata Kushtetuese dhe për të njëjtat u kërkuan ndryshime nga Komisioni i Venecias.

Nga shoqëria civile vlerësojnë se asnjë nga reformat thelbësore në drejtësi nuk do të mund të realizohet gjatë këtij mandati të qeverisë i cili përfundon në fillim të vitit të ardhshëm.

Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu derisa flet për KosovaPress thotë se reforma në drejtësi nuk është jetësuar si pasojë e “vonesave nga opozita dhe Gjykata Kushtetuese”.

Në anën tjetër, nga Lidhja Demokratike e Kosovës konsiderojnë se qeveria nuk është e interesuar për  këtë reformë.

E nga shoqëria civile nuk presin reforma thelbësore në sistemin e drejtësisë.

Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) thotë se nuk ka shpresë që procesi i Vettingut të mund të realizohet në këtë mandat.

Ndërkaq hulumtuesja e Lëvizjes “FOL”, Viona Bunjaku thotë se vetë hartuesit e ligjeve kanë gabuar në hapat e parë për ta jetësuar këtë projekt.

Në anën tjetër deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi shprehet i bindur që në këtë muaj Ligji për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme do ta marr mbështetjen e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Procesin e Vettingut - përgatitjen e bazës ligjore, ekzekutivi kosovar e nisi në tetor të vitit 2021 ku u miratua koncept dokumenti për Vetting në drejtësi.

Më pas për këtë koncept-dokument u kërkua edhe mendimi i Komisionit të Venecias i cili fillimisht rekomandoi verifikimin e niveleve të larta në gjyqësor dhe në prokurori.

Më pas u hartuan amandamente kushtetuese nga 40 deputetë të Kuvendit të Kosovës të cilat kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca në fillimin e marsit të vitit të kaluar i dërgoi për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese.

Në fund të dhjetorit të 2023-ës, Gjykata Kushtetuese i hapi rrugë Vettingut në sistemin e drejtësisë.

Me vlerësimin për kushtetutshmëri është ballafaquar edhe Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës i cili edhe u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese. Ai u ridërgua në Kuvendin e Kosovës dhe u votua,  më pas nga opozita përsëri e dërgoi në Kushtetuese.

Me Gjykatën Kushtetuese opozita e përballi edhe Ligjin për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme i cili aktualisht pas ndryshimeve të bëra nga ministrja e Drejtësisë, e që janë paraparë në aktvendimin e Kushtetueses, tashmë është proceduar për votim në Kuvendin e Kosovë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024