Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së njoftoi sot akuzat ndaj komplotit për vrasje me porosi të presidentit të zgjedhur Donald Trump, që dyshohet se ishte orkestruar nga një zyrtar iranian.
Farhad Shakeri (51) nga Irani, Carlisle Rivera (49) Brooklyn - Nju Jork dhe Jonathon Loadholt (36) Staten Island - Nju Jork janë akuzuar për komplot për të kryer vrasje dhe pastrim parash. Ata përballen me dënim maksimal prej 40 vjet burg nëse shpallen fajtorë.
“Ka pak aktorë në botë që paraqesin një kërcënim aq të madh për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara sa edhe Irani”, tha në një deklaratë Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland.
“Departamenti i Drejtësisë ka akuzuar një aset të regjimit iranian, i cili ishte ngarkuar nga regjimi për të drejtuar një rrjet bashkëpunëtorësh kriminalë për të çuar përpara komplotet e vrasjes së Iranit kundër objektivave të tij, duke përfshirë presidentin e sapo zgjedhur Donald Trump”, shtoi ai.Shakeri u tha hetuesve gjatë një interviste se Garda Revolucionare e ngarkoi atë më 7 tetor për zhvillimin e planit për eliminimin e Trump, të cilin pretendoi se nuk kishte ndërmend ta përmbushte brenda afatit kohor të Iranit, sipas Departamentit të Drejtësisë.
Ai më tej tha se kishte për detyrë të vëzhgonte dy hebrenj amerikanë dhe iu ofruan 500 mijë dollarë nga një zyrtar i Gardës Revolucionare për të vrarë secilin prej tyre, sipas Departamentit të Drejtësisë.
Sharkeri udhëzoi Rivera dhe Loadholt të vëzhgonin një shtetas amerikan të Iranit, të cilin autoritetet e përshkruajnë si një gazetar i cili ishte një "kritik i hapur" i Teheranit dhe ishte "shënjestër e komploteve të mëparshme për rrëmbim dhe/ose vrasje të drejtuar nga Qeveria e Iranit", njoftoi Departamenti i Drejtësisë.