Telekomi i Kosovës këto ditë ka ngritur çmimet për pakot e kombinuara Prepaid që ofrojnë shërbime të zërit dhe internetit.
Disa prej këtyre pakove mujore kanë shënuar ngritje të çmimeve nga një euro për pako. Një prej pakove, e cila ka kushtuar deri më 31 tetor 5 euro e 99 centë tani nga ky muaj kushton 6 euro 99 centë, raporton KosovaPress.
Zëdhënësi i Telekomit të Kosovës, Fadil Lepja thotë për KosovaPress se që çmimi i pakove të reja, me përmbajtje gati të dyfishuar, ‘ka ndryshuar fare pak, për të mos thënë simbolikisht’.
“Me modifikimin e pakove, Telekomi i Kosovës e ka rritur dukshëm, në sasi, përmbajtjen e ofertës, e pakove, ndërkohë që çmimi i pakove të reja, me përmbajtje gati të dyfishuar, ka ndryshuar fare pak, për të mos thënë simbolikisht”, thekson Lepaja.“Këtë modifikim të pakove Telekomi e ka bërë i motivuar nga rritja e kërkesave të konsumatorëve, kohëve të fundit, si rezultat I modernizimit të rrjetit të Vala dhe kalimit të plotë në teknologjinë 4G+ dhe 5G”, thotë Lepaja në një përgjigje me shkrim.
Konsumatorët e “Vala” janë ankuar prapa kamerës për këto shërbime, derisa zëdhënësi Lepaja thotë se nuk kanë pranuar ankesa lidhur me çmimet e reja të pakove.