Kosova nën “ethet” e zgjedhjeve në SHBA, cili kandidat është më i favorshëm për vendin?
Tema
Lexohet për: 2 min.
7
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Kosova po përcjell me vëmendje të madhe zgjedhjet e sotme presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Drejtimi i politikës amerikane konsiderohet se do të ketë ndikim të rëndësishëm për të ardhmen e vendit. Njohësit politikë në Kosovë ofrojnë perspektiva të ndryshme mbi atë se kush është kandidati më i favorshëm për Kosovën. Në garë të ngushtë për president të 47-të të ShBA-së janë kandidatja demokrate, Kamala Harris dhe kandidati republikan, Donald Trump.

Analisti politik, Arbnor Sadiku, thotë për KosovaPress se për Kosovën kandidatja Kamala Harris është më e favorshme për presidente të ShBA-së.

Sipas tij, kandidati republikan, Donald Trump është një personalitet atipik dhe nuk dihet se cili do të jetë roli i tij në politikën botërore, duke përfshirë edhe Kosovën.

Ai vë në pah rrezikun që nën administratën Trump të rikthehet ideja e korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

Mirëpo, diplomati, Blerim Canaj, nuk pret ndryshim të politikës së jashtme amerikane karshi Kosovës, pavarësisht ardhjes në pushtet të Donald Trump apo fitores së Kamala Harris.

Madje, ai thotë për KosovaPress se kandidati republikan, Trump mund të jetë më i hovshëm në vendimmarrje.

Qytetarët amerikanë janë duke votuar për të zgjedhur presidentin e ri. Kandidates demokrate Kamala Harris dhe atij republikan Donald Trump u duhen nga 270 vota elektorale për të fituar.

Zgjedhjet e sotme presidenciale në ShBA i komentoi edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha se Kosova është e bekuar që ka përkrahjen e SHBA-së, si nga demokratët ashtu edhe nga republikanët.

Osmani nënvizoi se ShBA-ja është aleati strategjik i Kosovës dhe do të vazhdojë të jetë i tillë edhe pas zgjedhjeve presidenciale.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024