Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka publikuar sonte pamje nga Ura e re në Kukës, e cila u inaugurua gjatë mesditës, duke e cilësuar këtë projekt si një arritje të rëndësishme për qarkun dhe qytetarët e Kukësit.
“Për hajër Ura e Madhe e Kukësit”, shkruan kryeministri Rama në postimin e tij, duke e shoqëruar mesazhin me një lutje për ata që kanë shprehur dyshime për cilësinë dhe qëndrueshmërinë e ndërtimit. “Dhe një lutje e sinqertë për ata që thoshin ra ura, u ndryshk ura, u prish ura: Kur të kaloni mbi urë ta gëzoni po aman shani sa më shumë, se plas syri i keq dhe na shtoni inatin për punë”, ka shkruar Rama në Facebook.
Ura e re e Kukësit është një nga projektet infrastrukturore të ndërmarra nga qeveria, që synon të përmirësojë ndërlidhjen dhe qasjen e qytetarëve në këtë zonë, duke lehtësuar lëvizjen dhe duke krijuar mundësi të reja zhvillimi për komunitetin lokal.
Ura është një vepër e veçantë, jo vetëm nga ana si vepër arti, por edhe nga struktura dhe metodologjia e saj e punës. Ura në vetvete ka kushtuar e gjitha 40 milionë euro përfshirë edhe dy rrugët e aksesit, të hyrjes e të daljes.Ura e Madhe e Kukësit mbi lumin Drin ka një gjatësi totale prej 310 metra, ndërsa harku metalik ka një bazë prej 270 metra, një lartësi prej 56 metra, shkruan ATSh, transmeton KosovaPress.
Ura ka 4 korsi në dy kahet e lëvizjes me ndarës trafiku të ndërmjetëm dhe me kavo çeliku që fiksohen nga bazamenti në harkun e urës.