Feronikeli 74 tërheq vendimin, vazhdon garat në Superligë
Sport
Lexohet për: 1 min.
Drejtuesit e klubit të futbollit Feronikeli 74 kanë tërhequr vendimin për t’u larguar nga garat duke bërë të ditur kështu se do t’i vazhdojnë ato për të mos e lejuar shuarjen e klubit, por edhe duke shpresuar në reagimin e Federatës së Futbollit të Kosovës.
Skuadra nga Drenasi ankohet për ndarje jo të duhur të drejtësisë nga gjyqtarët në ndeshjet e Superligës së Kosovës.
Në një konferencë për media, presidenti i klubit Erlind Krasniqi tha sot se pas një takimi të kryesisë së klubi dhe donatorëve, u vendos të vazhdohet me pjesëmarrje në të gjitha garat.
Ai i ka bërë thirrje FFK-së të reagojë përkitazi kësaj situate dhe të mos e lejojë dëmtimin e Feronikelit 74.
Ndërsa, në tribunat e stadiumit “Rexhep Rexhepi” kishte tifozë që protestonin kundër Federatës dhe kryetarit të saj Agim Ademi. /A.Bytyqi/