Me titull "Pjesëmarrja e grave në jetën publike dhe politike", Agjencia për Barazi Gjinore në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Studime Gjinore kanë mbajtur takimin e rregullt konsultativ, në prag të 30-të vjetorit të Platformës së Pekinit, 24-vjetorit të Rezolutës 1325 Gratë Paqja dhe Siguria.
Ky takim tradicional mbahet me qëllim të avancimit të të drejtave të grave në jetën politike dhe publike.
"Çka në të vërtetë na bënë kaq vetëmohuese, sakrifikuese dhe insistuese që si gra, vajza kosovare, pa dallim entie, moshe, orientimi seksual, fetar apo politik të jemi konsistente, ta themi atë që na pengon, të diskutojmë çfarë është ajo që po na mban larg shfrytëzimit të mundësive por që çuditërisht disi arrijmë të tejkalojmë, harrojmë, të rimëkëmbemi dhe insistojmë që e ardhmja e Kosovës ka fytyrë gruaje...Kosova ka sfidat e saj, por ka të arritura monumentale me figurat e saj të grave dhe vajzave që spikatin në jetën politike, publike, historike, kulturore dhe sportive. Kosova ka legjislacion, ka praktika, instrumente dhe mbi të gjitha figura të fuqishme të grave që e kanë bërë dhe po e bëjnë historinë. Mirëpo këto të arritura dhe rezultate duhet të mbrohen, duhet të kujdesemi që të mos i humbim brenda nate ashtu siç po ndodh në botë dhe më afër, ku rezultatet e arritura ndër vite vihen në pikëpyetje dhe humben nga presioni i rrymave të ndryshme kundër të drejtave të grave dhe barazisë gjinore. Dhuna duhet të parandalohet dhe trajtohet, sfidat, pengesat, rreziku duhet të analizohen, dhe mbi të gjitha rezultatet duhet të mbrohen dhe të sigurohen se ajo që është arritur me mund dhe sakrificë nuk guxon të humbet", tha ajo.
Ndërsa, drejtoresha Ekzekutive, Qendra Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli ka përmendur raportin e progresit të publikuar ditë më parë, për çfarë tha se vlerësimi i këtij raporti tregon se përgjegjësia e institucioneve për të promovuar barazinë gjinore ende mbetet e dëshiruar.Në anën tjetër, fjalë rasti pati edhe Saranda Bogujevci, nënkryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e cila ka thënë se barazia nuk është vetëm aktivitet, por duhet të jetë mendësi, duke shtuar se dhe këtu duhet të ketë në fokus më të madh nëse duhet të eliminohet pabarazia.
"Sot në 2024 jo vetëm në Kosovë, por globalisht si gra jemi duke jetuar në një kohë jo shumë të lehtë dhe me plotë sfida. Sado që kemi përparuar, ndryshimet politike, fuqizimi i të djathtës ekstreme ka zmbrapsur plot elemente të përparimit për të cilat është luftuar një kohë të gjatë në interes të grave... Sado që ne si Republikë kemi avancuar në rolin e gruas në nivelin politik e publik, dhe masat e ndërmarra nga Qeveria për të krijuar një barazi më të madhe në vend për gjithsecilën kategori, ende kemi shumë punë për të bërë. Kjo ndërlidhet ngushtë me krijimin e mendësisë, barazia nuk është vetëm aktivitet, por duhet të jetë mendësi, dhe këtu duhet të kemi fokus më të madh nëse duam të eliminojmë pabarazinë. Kohën e fundit kemi parë sulme të ashpra ndaj grave në politikë në sferën publike, dhe kjo vjen fatkeqësisht nga burrat, jo nga gratë”, tha ajo.
Programi i Kosovës për Barazi Gjinore 2020-2024, i miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës e vendosë çështjen e pjesëmarrjes së grave në jetën politike dhe publike si një nga objektivat kryesore strategjike. Në përputhje me objektivat që dalin nga ky Program, Agjencia në bashkëpunim me Qendrën synojnë ta sjellin në vëmendje pozitën e grave në jetën politike dhe publike nga një perspektiv ndërthurëse.