Kong-rey, tajfuni më i madh që ka goditur Tajvanin në gati 30 vjet, ka rënë në bregun lindor të ishullit, si pasojë e të cilit janë lënduar mbi 70 persona dhe të paktën një ka vdekur, thanë autoritetet sot pasdite.
Një grua 56-vjeçare ka humbur jetën pasi një pemë ka përplasur një automjet në të cilin ajo ndodhej.
Shkollat dhe vendet e punës në të gjithë Tajvanin janë mbyllur. Qindra fluturime dhe tragete, së bashku me bursën e Tajvanit, janë pezulluar gjithashtu dhe gjysmë milion familje kanë mbetur pa energji elektrike, sipas Taiwan Power Company.
Është e pazakontë që një tajfun i madh të vijë kaq vonë gjatë vitit. Sezoni i tajfunit të Tajvanit, sipas agjencisë së motit të këtij vendi aziatik, në përgjithësi bie midis korrikut dhe shtatorit.Shkencëtarët e oqeanit kanë raportuar nivele gati rekord të temperaturave globale të sipërfaqes së detit që nga korriku, që do të thotë se ka më shumë energji termike në sipërfaqen e oqeanit për të ushqyer sistemet e stuhisë.
Stuhia më vdekjeprurëse që goditi Tajvanin në dekadat e fundit ishte Morakot në gusht 2009, duke shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje të dheut që lanë të vdekur rreth 900 persona.
Kong-rey pritet të dobësohet ndërkohë dhe të largohet nga ishulli të premten, njoftoi agjencia e motit e Tajvanit.